Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka theksuar nevojën e një procesi gjithëpërfshirës për ngritjen e një komisioni të posaçëm reformash, që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.
Në një reagim për Top Channel, delegacioni i BE shprehet se është thelbësore që të jetë arrihet një mbështetje ndërpartiake, ndërsa theksohet se nuk duhet të ketë kthim pas të reformës në drejtësi, të 2016. .
“Ne jemi në dijeni të miratimit nga Parlamenti, pa mbështetjen e opozitës, të një vendimi për krijimin e një komisioni ad-hoc për “Thellimin e reformave të qeverisjes së mirë, shtetin e së drejtës dhe antikorrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”.
Konsultimet kuptimplotë dhe gjithëpërfshirëse janë po aq të nevojshme sa gjithnjë, duke marrë parasysh rëndësinë thelbësore të çështjeve të trajtuara nga kjo nismë. Do të jetë thelbësore të arrihet një mbështetje ndërpartiake.
Siç e kemi thënë më parë: Nisma duhet të bazohet në arritjet e mëparshme të reformës dhe të jetë në përputhje me parimin kushtetues të kontrollit dhe balancimit, me gjetjet e raporteve të shqyrtimit analitik të legjislacionit dhe me angazhimet në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.
Duhet të respektojë plotësisht marrëdhëniet ekzistuese mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura, siç garantohet nga Kushtetuta.
Për sa i përket sektorit të drejtësisë, vërejmë se parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016.
Theksojmë se është me rëndësi jetike që procesi parlamentar i propozuar të jetë i bazuar në prova, të jetë transparent, të gëzojë mbështetje të fortë ndërpartiake dhe të mbështetet në një konsultim gjithëpërfshirës dhe kuptimplotë me të gjitha institucionet dhe palët e interesuara, duke përfshirë edhe shoqërinë civile”, thuhet në reagimin për Top Channel.
Top Channel