Nga holli i teatrit Andon Zako Çajupi, miq dhe qytetarë të shumtë i dhanë lamtumirën poetit Skënder Rusi.
Liriku korçar u nda nga jeta në moshën 72-vjeçare duke lënë pas krijimtarinë e pasur që ka spikatur për thellësinë dhe ndjeshmërinë. Përfaqësues të politikës, artit, kulturës dhe qytetarë u bënë pjesë e ceremonisë së homazheve për t’i dhënë lamtumirën krijuesit dhe për të ndarë me familjarët dhimbjen për humbjen e njeriut të dashur dhe personalitetit të letërsisë shqipe. Djali i tij Erisi tregon sesi poeti deri në momentet e fundit nuk ndali së krijuari vargje.
Skënder Rusi gjithë jetën ja dedikoi krijimtarisë së tij duke dhënë një kontribut të çmuar në letërsinë shqipe për të cilin ndër vite është vlerësuar me tituj nderi dhe çmime.
Ndjeshmëria e thellë, figuracioni dhe gjuha e pasur për të sjellë emocionet e jetës dhe njeriut e bënë poetin Skënder Rusi të përmbushë misionin e tij për të na dhuruar vargje të përjetshme ndaj edhe pas ndarjes nga jeta ai do të jetë i paharruar.
Top Channel