Mazhorancës i mjaftuan vetëm kartonët e saj për te ngritur komisionin e posaçëm që do hartoje reformat në luftën kundër korrupsionit, ku miratimi i produktit të kësaj strukture, kërkon domosdoshmërisht ndihmën e opozitës, sidomos kur bëhet fjalë për ligje me shumicë të cilësuar.
Socialistët nuk nxituan të bëjnë publike emrat e anëtarëve, të cilët do të duhet të marrin votën në parlament përpara se sa të nisin zyrtarisht detyrën.
Megjithëse mes tyre pati edhe 6 deputetë që dolën nga rreshti dhe votuan kundër, demokratët në bllok vendosën të bojkotojnë procesin e votimit.
Qëndrimi i opozitës lexohet nga shumica parlamentare si një shteg i hapur për reflektim. Dashamir Shehi i cili ka shpallur divorcin politik me aleatet e tij historik, i druhet një marrëveshje mes demokratëve dhe socialistëve.
Shehi: Nëse do fillojmë trataktiva, marrëveshje, si do jetë komisioni do e fusim vetëm në një situatë qesharake. Çfarëdolloj veprimi nga grupet opozitare për t’u bërë pjesë e këtij lloj triku parazgjedhor për t’i bërë presion SPAK do jetë një përshtypje shumë e keqe.
E drejta e komisionit për të thirrur në seancë dëgjimore institucionet e drejtësisë shihet me skepticizëm nga opozitarët.
Shehi: Kemi dyshimin permanent që kjo po bëhet për t’i bërë presion sistemit të ri të drejtësisë, në radhë të pare Spak dhe GJKKO. Kjo është si t’i vësh ujkut mëlçinë në qafë. Këto kanë qenë aty prej 11 vitesh.
Socialistet gëzojnë jo vetëm shumicën e anëtarëve të komisionit antikorrupsion por edhe drejtimin e tij, të cilin përflitet se do ia besojnë Fatmir Xhafajt.
Top Channel