Fëmija i spektrit autik kafshon nxënësit në klasë, shkolla dhe ZVA-ja reagon pas interesimit të Fiksit

30/05/2024 21:32

Neglizhenca dhe indiferenca e Zyrës Arsimore dhe e drejtorit të shkollës lë fëmijën me probleme të spektrit autik pa mësues ndihmës. Fëmija kafshon dhe dhunon bashkëmoshatarët.

Bëhet fjalë për shkollën 9 vjeçare “Abdyl Bajraktari” në Koplik, ku prindërit  i dy vajzave në klasë të parë ankohet se fëmijët i vijnë me shenja kafshimi nëpër duar nga shkolla. Kafshimet kryhen nga një tjetër bashkëmoshatar me probleme të spektrit autik, që e bën edhe me fëmijët e tjerë të klasës.

Prindi shpjegon për Fiksin se ka vënë në dijeni drejtorin e shkollës dhe është larguar me fjalë për zgjidhjen e situatës, por në të vërtet nuk ka ndodh një gjë e tillë.  Prindi kërkon që në atë klasë të çohet një mësuese ndihmëse apo ndonjë psikolog që të kujdeset për fëmijën që shfaq shenja dhune.

Fiksi u interesua edhe në drejtorinë e kësaj shkolle, ku drejtori Shaban Duka tha për Fiksin se problemi është konstatuar nga psikologia nga nëntori i viti 2023 dhe ka kërkuar në ZVA mësuese ndihmëse.

Si përgjigje i kanë thënë që nuk ka dhe duhet ta mbulojnë dhe menaxhojë situatën me mësueset që ka. Por kjo bie në kundërshtim pasi në klasën ngjitur që ka një tjetër nxënës me autizëm ka mësuese ndihmëse. Dhe pikërisht Fiksi e pyet se si kjo ka mundësi, drejtori justifikohet duke nxjerr 100 arsye po asnjërën të saktë.

Herë thotë që e ka bërë psikologia një gjë të tillë, herë prindi fëmijët e herë mësuesja vetë. Pyetjes së Fiksit se kush ka qenë në klasë me nxënësin me autizëm një ditë më parë kur ai ka kafshuar dy nxënëset e tjera, drejtori pohon se askush.

Ai thotë se mësueset për të cilat ZVA e ka urdhëruar të mbulohen fëmijët me spektër autik, kanë ngarkesë të plotë mësimore me nxënësit e tjerë. Pra indirekt drejtori i shkollës fajëson ZVA -në për situatën e krijuar.

Fiks Fare u interesua edhe në Zyrën Vendore Arsimore Malësi e Madhe ku specialisti z. Faik Semanaj  shprehet se janë vënë në dijeni të rastit nga drejtori i shkollës, z. Duka.

Ai pohon se nga ZVA i është dhënë urdhër drejtorit që fëmija të mbulohet nga mësuesja ndihmëse e klasës paralele që e ka një fëmijë me nevoja të veçanta. Drejtorit Duka i është thënë që fëmijët me nevoja ndryshe të bëhen bashkë në një klasë dhe të mbulohen nga mësuesja ndihmëse.

Specialisti  Semanaj i premton Fiks Fare se problemi do marrë zgjidhje të menjëhershme. Dhe ashtu ndodhi , ditën e nesërme ZVA çoi një mësuese ndihmëse.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA