Pas publikimit të listës paraprake për Kampionatin Europian “Gjermani 2024”, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik.
Në një prononcim për FSHF, Kristjan Asllani dhe Arlind Ajeti kanë treguar emocionet kuqezi në prag të finaleve të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Asllani tregon se gjithmonë është një emocion i madh ftesa nga Kombëtarja dhe shton se po pret me padurim për të luajtur ndeshjet e Europianit, sidomos me Italinë.
“Është një emocion i madh sa herë të thërret Kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”, tha mesfushori kuqezi.
“Ne i presim tifozët të shumtë, na kanë ndihmuar edhe në kualifikuese. Kur kemi ata, jemi një lojtar më shumë në fushë dhe kjo është gjëja kryesore. Ne i presim dhe shpresoj që të na mbështesin si gjithmonë. Dua ta luaj ndeshjen me Italinë, kam shumë shokë dhe pastaj kam jetuar në Itali. Kjo është një ndeshje e veçantë për mua. Siç edhe thashë, mezi po pres që të futem në fushë. Tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mezi po i pres që t’i shoh e të jemi të bashkuar”, përfundoi Kristjan Asllani.
Nga Franca në Gjermani, për Arlind Ajetin është Europiani i dytë me fanellën kuqezi. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare tregon emocionet, por edhe çfarë ka ndryshuar gjithë këto vite.
“Emocionet janë vështirë të përshkruhen, por dua të them që sa herë më thërret Kombëtarja jam gjithmonë i lumtur. Europiani është diçka shumë e veçantë dhe mezi presim që të fillojë. Kemi shumë lojtarë me cilësi dhe pothuajse të gjithë luajnë në ekipe të mëdha. Kjo mendoj që është diferenca nga viti 2016. Gjithsesi angazhimi, motivimi në Kombëtare është gjithmonë në maksimum” – tha fillimisht Arlind Ajeti, i cili pret edhe mbështetjen e tifozëve kuqezi në dy miqësoret ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladás Sportkomplexum”, Hungari.
“Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Europian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin”, përfundoi Ajeti.
Top Channel