A do ta njohë Sllovenia shtetin palestinez? Qeveria dërgon në Parlament propozimin, hidhet në votim javën e ardhshme

30/05/2024 17:10

Qeveria e Sllovenisë e ka mbështetur të enjten një mocion për njohjen e shtetit palestinez dhe i ka kërkuar Parlamentit ta bëjë të njëjtën gjë.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, tha se Qeveria e tij ia ka dërguar Parlamentit propozimin për njohjen e shtetit palestinez. Parlamenti slloven mund të mblidhet javën e ardhshme dhe ta hedhë në votim propozimin e Qeverisë.

Nevojitet pajtimi i Parlamentit që vendimi i Qeverisë të jetë i efektshëm. Partia liberale në pushtet e Golobit e ka shumicën në Parlamentin me 90 ulëse dhe votimi rreth njohjes së shtetit palestinez pritet të jetë formalitet.

Vendimi i Qeverisë sllovene vjen vetëm dy ditë pasi Spanja, Norvegjia dhe Irlanda e njohën shtetin palestinez. Qëndrimet e tyre u dënuan ashpër nga Izraeli.

Sllovenia do të bëhej vendi i 10-të i Bashkimit Evropian që e njeh zyrtarisht shtetin palestinez. Norvegjia nuk është pjesë e bllokut 27-anëtarësh, por ajo zakonisht i përshtat politikat e jashtme me ato të bllokut. Sllovenia e nisi procesin e njohjes së shtetit palestinez në fillim të majit, por tha se do të priste derisa të përmirësohej gjendja në luftën në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

Golob tha këtë javë se po e përshpejton procesin pas sulmeve të fundit të Izraelit në Rafah, si pasojë e të cilave më shumë se 1 milion palestinezë kanë ikur atje.

Më shumë se 140 shtete e njohin shtetin palestinez – më shumë se dy e treta e Kombeve të Bashkuara.

Vendimi për njohjen e shtetit palestinez ka nxitur fërkime në marrëdhëniet e BE-së me Izraelin. Spanja dhe Irlanda po bëjnë trysni që BE-ja të ndërmarrë masa kundër Izraelit, për shkak të sulmeve të tij të vazhdueshme në jug të Gazës.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë. Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA