Diamante, Ferrari, shufra ari dhe hotele/ SPAK zbulon detaje të reja për grupin kriminal italo-shqiptar, kontrolle në katër qytete të vendit

29/05/2024 11:38

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dhënë detaje të reja në lidhje me goditjen e grupit kriminal italo-shqiptar.

Grupi u godit disa ditë më parë pas hetimeve në bashkëpunim me Antimafian italiane. Si pjesë e këtij operacioni janë ushtruar kontrolle në në Tiranë, Vlorë, Durrës dhe Elbasan, si dhe në disa qytete të Italisë.

“Në bashkëpunim me Prokurorinë Publike të Firenzes, koordinuar nga Eurojust, janë kryer kontrolle në 4 qytete të Shqipërisë dhe 23 kontrolle në disa qytete të Italisë. Është zbuluar një investim prej 13.5 milionë euro në 31 restorante, 2 hotele dhe biznese të tjera të ndryshme. Hetimi po vijon në mbledhjen e provave dhe përgjegjësinë penale të subjekteve nën hetim”, njofton SPAK në platformën “X”.

Sipas artikullit të medias italiane, të publikuar disa ditë më parë, janë nëntë të dyshuar të përfshirë në këtë veprimtari, përfshirë ish-portierin e Fiorentinës dhe Napolit, Giuseppe Taglialatela , 55 vjeç, tani përfaqësues ligjor i Ischia Calcio, Alessandro Bigi , 49 vjeç Florentine dhe Eluert Kamami 40 vjeç.

Tetë restorantet në qendër të Firences që u përdornin për pastrim parash u konstatuan pas një hetimi nga DDA në bashkëpunim me SPAK.

Grupi përmes pastrimit të parave riinvestonte në blerjen e ambienteve të tjera.

Hetuesit besojnë se grupi ka arritur të blejë 31 restorante nga viti 2012 e deri më sot, shumica në qendër të Firences, dy hotele, biznese të makinave me qira dhe prodhimit të birrës për rreth 13 milionë e gjysmë euro.

Ischia Calcio dhe restorantet Il Cavallino në Piazza della Signoria konsideroheshin si një lloj baze ku rridhnin paratë e pista.

Restorantet Trattoria Giovanni, La Bistecca Osteria Fiorentina, Ponte Vecchio, Bistecchia Santa Croce, Trattoria de Pitti, Osteria Lungarno dhe Orcagna u përkasin kompanive të menaxhuara nga Eluert Kamami ose Bigi.

Kamami dhe Bigi nuk lëshonte faturat përkatëse në restorantet që administronin.

Për momentin, financuesit besojnë se grupi ka shpenzuar rreth një milion e gjysmë euro cash.

Drejtuesit e organizatës kriminale Kamami dhe Bigi sipas hetuesve blenë edhe tre Ferrari, bizhuteri, shufra ari dhe diamante.

Ish-portieri duhet të përgjigjet para gjykatës edhe për fatura rreth 80 mijë euro të lëshuara nga klubi i futbollit Ischia për një klub të Napolit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA