Vila e Ahmetaj, në fuqi sekuestro! Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e shoqes së ish-bashkëshortes për heqjen e masës

26/05/2024 19:34

Gjykata Kushtetuese zbardhi një tjetër vendim që lidhet me hetimet e SPAK ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, prej dhjetë muajsh në arrati dhe me masë sigurie në mungesë.

Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën e Elda Dinaj, shoqe e Albina Manckës, kjo e fundit ish-bashkëshorte e Arben Ahmetaj, emri i të cilit në 17 mars 2023 u regjistrua si person nën hetim për korrupsion të funksionarëve, fshehje pasurie dhe pasqyrim parash. Dinaj kishte kërkuar shfuqizimin e sekuestros preventive të shpallur nga gjykatat më të ulëta ndaj 1 vile në Green Coast që rezulton në emër të paditëses.

Gjykata Kushtetuese thotë se sekuestro ndaj pasurisë është bërë me ligj dhe i përgjigjet interesit publik përsa kohë është aplikuar në kuadër të një hetimi që po kryhet nga SPAK. Duke iu refereuar vilës në Palasë, Gjykata Kushtetuese kujton vendimet gjyqësore që nënvizojnë se ekziston një dyshim i arsyeshëm që kjo pasuri është vendosur me të ardhura të paligjshme dhe se nuk është pasuri e Elda Dinaj, por një pasuri e fshehur e Ahmetajt nën hetim dhe e ish-bashkëshortes së tij.  “Duke qenë se ekziston rreziku i tjetërsimit të pasurisë, vendosja e sekuestros preventive është bërë me qëllim që të pengohet çdo transferim i mundshëm deri në përfundim të procesit penal”, deklaron më tej Kushtetuesja. Në vendim përsëriten vendimet e shkallëve më të ulëta që i referohen kontratave të shitblerjes me ‘Inerte Express’ dhe të dhënat e sistemit Tims, ku del në dritë se Dinaj nuk ishte në Shqipëri ditën kur nënshkroi.

Vlera e shitjes së vilës ishte 300 mijë euro dhe duhej likuiduar me këste brenda një viti. Ndërkohë që shoqëria vendosi ta shesë vilën gati 87 mijë euro më pak nga ajo që e kishte marrë. Pagesa e parë  e paguar, u pa nga Apeli i Posaçëm, si veprim për kalimin e pronësisë tek kërkuesja Dinaj, se ishte kryer në bashkëpunim me deputetin nën hetim dhe ish-bashkëshorten. Duke iu referuar edhe vedimeve të mëparshme, Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi si sekuestron preventive.

Top Channel