“Erdha t’u them se Shqipëria…”, Rama mesazhe emigrantëve në Itali: 421 mijë prej jush do marrin pensione, falë angazhimit edhe të Melonit

26/05/2024 13:35

Duke folur para shqiptarëve të Italisë, Edi Rama u shpreh se më në fund, pas 10 vitesh përpjekje u arrit marrëveshja për pensionet, nga e cila do të përfitojnë 421 mijë shqiptarë. Për këtë ai tha se ka kontribuuar fort edhe kryeministrja Georgia Meloni, të cilën e quajti zëdhënëse të shqiptarëve.

“421 mijë prej jush do të përfitojnë pensione, falë angazhimit të kryeministres tuaj këtu në Itali, Meloni, një zëdhënëse e shqiptarëve. Ne ia dolëm të vendosim më në fund një gur të çmuar dhe të munguar në atë kurorën e drejtësisë që ju e keni merituar plotësisht me kontributet tuaja për këtë atdhe të dytë tuajin.

Sot kam ardhur për t’u thënë se dhe Shqipëria po e fiton betejën e saj të drejtë pa e ndaluar vrapin në kërkim të kurorës së munguar të drejtësisë për emrin, flamurin dhe vendin e saj, me Zot, ligj dhe zakon në familjen e shteteve të BE.

Ua them vazhdimisht kolegëve të mi europianë, vërtetë edhe për pak kohë ne nuk jemi ende të gjithë si popull dhe shtet në BE, por të qenurit europian në mes të Europës njësoj të barabartë në nder dhe dinjitet me gjithë të tjerët, shqiptarëve ua ka caktuar njësoj si gjithë europianëve i njëjti Zoti.

Ne na e ka shkruar amaneti i Skënderbeut, i rilindësve, ndërsa mbarë këtij kontinenti jeni ju që ia keni imponuar të parët se shqiptarët janë pjesë e Europës dhe jeni pjesë e bashkuar e familjes Europiane”, tha Rama.

“Shqipëria ka një luftë të madhe për të bërë me korrupsionin dhe krimin, me plagë të trashëguara nga shekuj ndarje të dhunshme prej Europës. Askush që nuk e di historinë tonë, po të shikonte atë film nuk do ta besonte që ata njerëz atje jeni ju.

Si ata njerëz atje, ashtu ishte Shqipëria dje, që sot ju ngjan juve…”, shtoi ai më tej.

 

Top Channel