Qëlloi me thikë gruan për shkak të xhelozisë, Gjykata e Tiranës lë në burg Jakup Shahun! 46-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje të rëndë

25/05/2024 12:22

Gjykata e Tiranës la në arrest me burg Jakup Shahun, 52 vjeç i arrestuar pak ditë më parë për masakrimin me thikë të bashkëshortes, Edlira Shahu 46 vjeçe.

Anila Hoxha raporton se prokurori i çështjes i tha gjyqtarit Albert Meca se i dyshuari pasi e goditi tre herë me thikë gruan i deklaroi të bijës “ ja ku e ke nënën”.

Prokurori deklaroi gjatë seancës me dyer të mbyllura se gruaja vijon të jetë gjendje të rëndë në spital, për shkak të tre plagëve, njëra prej tyre në qafë.

Nga ana tjetër autori  Jakup Shahu tregoi versionin e tij , duke kujtuar se qëlloi me thikë në gjaknxehtësi e sipër.

“Nuk doja ta qëlloja shpirtin tim, nuk di si veprova por u nxeha. E qëllova në debat e sipër”, tha i dyshuari i cili shpërtheu në lot në sallën e gjykatës.

Anila Hoxha raporton se me kërkesë të akuzës gjykata e la nën arrest me burg për akuzën e  vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare të mbetur në tentativë të Edlira Shahut. më herët autori ka qenë në burg edhe për një vrasje tjetër.

Top Channel