Zyrtare/ Thiago Motta e mbyll me Bolognan, pritet zyrtarizimi te “Zonja e Vjetër”

23/05/2024 15:40

Thiago Motta nuk do ta drejtojë Bolognan në sezonin 2024/25, njoftimin është bërë zyrtar nga vetë klubi kuqeblu. Trajneri italo-brazilian është shumë pranë stolit të Juventusit, që i ka ofruar kontratë trevjeçare.

Konfirmime të tjera priten në ditët në vijim. Ndërkohë, ka një siguri: historia e bukur mes Thiago Mottas dhe Bolognas, pas kualifikimit historik në Champions League, ka përfunduar.

“Këtë mëngjes Thiago Motta i komunikoi Klubit synimin e tij për të mos rinovuar kontratën me Bologna FC 1909. Duke marrë parasysh vendimin, Klubi falënderon trajnerin për punën e jashtëzakonshme të kryer dhe i uron atij fat në vazhdimin e karrierës”, thuhet në shënim.

“Në këto dy vite kam takuar një trajner të përgatitur dhe fitues, i cili i ka dhënë skuadrës një identitet të shkëlqyer loje. Arritja e kualifikimit në Champions League e fut atë dhe të gjithë lojtarët në historinë e klubit tonë. Do të kisha dashur që ai të qëndronte te Bologna, por vetëm mund ta falënderoj atë dhe stafin e tij për këto sezone të mrekullueshme dhe t’i uroj më të mirën për të ardhmen,” reagoi presidenti i Bolonjës, Saputo.

Tani fillon numërimi mbrapsht për njoftimin zyrtar të emërimit të Thiago Mottas në krye të Juventusit. Ai është njeriu i zgjedhur prej disa kohësh nga Cristiano Giuntoli për të hapur një cikël të ri pas epokës së Allegrit.

Thiago Motta pritet të nënshkruajë me Juventusin deri më 30 qershor 2027 për rreth 4 milionë euro neto në sezon./Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA