Licencimi i kanabisit mjekësor dhe lojërave të fatit, zbulohet shpërblimi që përfitojnë anëtarët e komisioneve shtetërore

22/05/2024 15:27

Këshilli i Ministrave ka caktuar pagën për anëtarët e komisioneve shtetërore për kanabisin dhe lojërat e fatit.

Anëtarët e emëruar në Komisionin e Licencave për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore përfitojnë një pagesë prej 25.000 lekësh për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë komision. Por, theksohet në vendim, nuk duhet të jenë më shumë se 12 pagesa në vit.

Vendimi hyn në fuqi nga momenti i bërjes efektiv të komisionit dhe buxheti do të dalë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Po ashtu, janë caktuar shpërblimet për kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Licencave për shqyrtimin dhe vlerësimin e aplikimeve të paraqitura në lidhje me aktivitetin e lojërave të fatit.

Kryetari i komisionit do të paguhet masën 35.000 lekë për mbledhje, ndërsa anëtarët e komisionit 30.000 lekë për mbledhje. Pagesa do të jepet pasi të vërtetohet prezenca në procesverbal. Efektet financiare për shpërblimin e anëtarëve të Komisionit të Licencave, sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Top Channel