Personi që shtiu mbi kryeministrin sllovak Robert Fico mund të mos ketë vepruar i vetëm, thotë ministri i brendshëm i Sllovakisë.
“Një ekip hetuesish është duke verifikuar mundësinë që sulmi i së mërkurës të mos ketë qenë vepër e një “ujku të vetmuar”, siç mendohej më parë, pohoi përpara gazetarëve Matus Sutaj Estok.
Jeta e Ficos nuk është më në rrezik pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale, por gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë dhe 59 vjecari është ende në terapi intensive. Të shtunën, i akuzuari për tentativën e vrasjes së kreut të ekzekutivit u la në paraburgim deri në gjykimin e tij.
Edhe pse emri i tij nuk është bërë publik zyrtarisht, mediat vendase e kanë identifikuar gjerësisht si Juraj Cintula 71-vjeçar nga qyteti Levice.
Kryeministri Fico u qëllua 4 herë me armë, një sulm që ngriti alarmin mbi polarizimin politik në Sllovaki, një vend në Evropën Qendore me një popullsi prej 5.4 milionë banorësh. Atentati Robert Ficos ishte përpjekja e parë për të vrarë një udhëheqës europian në 20 vitet e fundit. Sulmi u dënua gjerësisht nga udhëheqësit ndërkombëtarë. Analistët politikë dhe ligjvënësit thonë se ngjarja nënvizoi klimën e polarizuar politike në Sllovaki dhe në mbarë Europën.
Sipas shtypit vendas, autori i dyshuar për sulmin ka qenë më parë ish-punonjës sigurie në një qendër tregtare, autor i tre librave me poezi, dhe i përfshirë në organizata politike me ideologji të ndryshme.
Top Channel