Sali Berisha ka reaguar për megaoperacionin e SPAK, në të cilën u lëshuan 50 urdhër arreste, ku nuk munguan as akuzat.
Ai u shpreh se nuk është arrestuar asnjë nga drejtuesit e organizatave kriminale, por ndëshkimin e kanë marrë punonjësit e tyre. Berisha theksoi se ky operacion i SPAK thjesht ka paralajmëruar ‘bossat që të largohen pas zbulimit të bisedave në SKy ECC’.
“Një operacion i tij ishte operacioni prej 50 mandatesh arresti, i anonçuar me të madhe nga propaganda qeveritare dhe autori i saj, Altin Dumani apo mercenari i partisë. Dua të informoj qytetarët se nga 50 mandate, janë arrestuar apo ekzekutuar gjithsej 5 qytetarë në Shqipëri, roje, magazinier, furnitor, etj., dhe absolutisht asnjë nga bosët e 7 familjeve apo zyrtarët e tjerë, për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet.
Altin Dumani përsëriti këtu skemën e mashtrimit, që përsëriti me djegësin e Tiranës, kur tha se lëshuam 13 mandate arresti, ndërkohë që u arrestuan vetëm dy drejtorë të Erion Veliajt, se të tjerët ishin në burg. Në këtë kontekst, ne dënojmë me forcën më të madhe dekonspirimin nga prokuroria dhe politika të këtij operacioni, që bëri të mundur shumë prej këtyre bosëve të largohen jashtë shteti, javë apo ditë përpara fillimit të tij. Por dhe lirimin, apo lejimin e largimit nga Shqipëria, të bosëve të tjerë si Doçët, Abdylët, apo dhe 4 oficerët e policisë, që thuhet se u gjetën në banesat e tyre gjatë kontrollit.
Gjithashtu burime thonë se 9 orë para nisjes së operacionit në botën e malavitës, u shpërnda mesazhi se operacioni me 50 arrestime, po fillon. Me këtë operacion, Skrapi i partisë bëri gjithçka për të fshehur lidhet e tmerrshme të krimit, të këtyre familjeve, të këtyre bosëve, me Edi Ramën, Engjëll Agaçin, Saimir Tahirin, Taulant Ballën, ish-zv/kryeministrin Erion Braçe, kriminelin Ergys Agasi, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu.
Të gjithë këta, lidhje të ngushta me këta 7 familje dhe oficerët e lartë të policisë të implikuar në vepra penale. Qesharake tingëllon sekuestrimi i 3 mln eurove tek Doçi, në një kohë kur këtij eksponenti të krimit madhor, i ka besuar Edi Rama prej 1 viti e gjysëm, bashkë me Ergys Agasin, portin e Durrësit dhe trafikun e kokainës, jo vetëm për Shqipërinë, por Ballkanin dhe Europën.
Kujt i shërbeu operacioni, është shumë e drejtë të pyesni? Më thoni cili nga bosët u arrestua. Operacioni pra vetëm sa paralajmëroi bosët, ikni se figuroni në regjistrat e telefonave, SKY EÇ dhe EnchroChat, në bisedat tuaja me Edi Ramën, Taulant Ballën, Erion Braçen, Ergys Agasin, Vangjush Dakon, Pjerin Ndreun, Saimir Tahirin, Bledar Çuçin, etj.
Pra në fakt, operacion ju interesoi përveç bosëve edhe qeveritarëve të lidhur me to. PD denoncon me forcën më të madhe, operacione kallpe si kjo dhe garanton bosët e krimit, se kudo që të ndodhen, të rikujtojnë pak para vitet e mëparshme. Edhe në papafingot më të fshehta, ata do të gjinden dhe do të kthehen në Shqipëri për të dhënë përgjigje para ligjit, për vrasjet, trafiqet e tyre. Garanton padronët e tyre në politikë, nga Edi Rama e poshtë se do të ndajnë me ta fatin e tyre”, tha Berisha.
Top Channel