Si çdo vit, në ditën ndërkombëtare të muzeve, edhe këtë 18 maj të gjitha muzetë në Korçë kanë hapur dyert për të pritur publikun e gjerë.
Për të gjithë vizitorët muzetë mbeten një prej aspekteve më të veçanta ku ata mund të shohin nga afër fondet e pasura që dëshmojnë trashëgiminë tonë historike e kulturore. Do risi dhe Johhny janë një çift britanik që ndërmorën një udhëtim të cilin e dëshironin prej 30 vitesh.
3 javë më parë ata arritën në Shqipëri dhe janë duke vizituar të gjitha sitet arkeologjike të vendit. Duke vlerësuar gjithçka që kanë gjetur në Shqipëri ata thonë se edhe qyteti i Korçës mbetet një prej destinacioneve që vlen të vizitohet
“Zgjodhëm Shqipërinë sepse gati 30 vite më parë ne vizituam Jugosllavinë dhe nuk mundëm të shihnim Shqipërinë sepse ishte e mbyllur. Jemi të interesuar për prehistorinë, antikiteti ndaj tani po shohim muzeun Arkeologjik. Do të shkojmë edhe në Malin e Zi por aty do të qëndrojmë shumë pak”, tha një vizitore.
“Jemi të interesuar për sitet arkeologjike. Kishim qenë në Greqi shumë herë ndaj zgjodhëm Shqipërinë. Kemi vizituar Amfiteatrin e Durrësit, Apoloninë, Butrintin, Amantian, rreth 9-10 site arkeologjike. Ajo që bën përshtypje është se janë vende shumë të qeta dhe ne kemi marrë të gjithë kohën e nevojshme për ti shijuar ato. E gjithë Shqipëria është shumë e bukur”, u shpreh një tjetër.
Rritja e numrit të turistëve që zgjedhin qytetin e Korçës reflektohet edhe tek shifrat në rritje të vizitave në muze. Sipas të dhenave Muzeu Arkeologjik i Korçës prej fillimit të muajit maj ka pritur më shumë se 200 vizitorë të huaj që vijnë kryesisht nga Evropa por nuk mungojnë as ata nga kontinentet e tjerë
Përveç Muzeut Arkeologjik nuk kanë munguar as vizitorët ne muzete e tjerë të Korçës.
Top Channel