Në Gjirokastër rituali i shtegëtimit u celebrua me një festë kushtuar riteve baritore, jetës në natyrë, produkteve organike dhe mjedisit autentik blegtoral të maleve të Jugut.
Një kope me 1000 krerë dele u nis herët në mëngjes nga fshati “Andon Poçi” në Odrie për të mbërritur në fushën e Çajupit një nga kullotat më të pasura të Jugut.
Pëllumb Koko që mbarështon një kope me dele në pllajën e njohur edhe si lugina e 1000 luleve tregon se brez pas brezi që prej fundit të shek 19, familja e tij është marrë me blegtori. Njohja e kësaj trashëgimie, mbrojtja e saj dhe vënia në funksion të turizmit munden sipas tij ta ndalin reduktimin e tufave.
“Pjesa më e bukur e shtegëtimit është pjesa e stolisjes së cjepve me zile e këmborë, të deshve përçorë të kopesë, fyelli, longari, bërja e karvanit të kafshëve gati, e sharkut. Ka një simbol edhe sharku që kam veshur unë sot, ka një traditë. Pjesa e shtegëtimit është në qendër të vëmendjes për shumë vizitorë të huaj. Arsyeja sepse është diçka e trashëguar dhe origjinale. Megjithatë blegtoria vitet e fundit ka një rënie shumë më të madhe nga sa duket e besoj se për një 3 vjeçar do të na marrë malli që të hamë një qengj natyral”, tha Pëllumb Koko, blegtor.
Fusha e Çajupit që ishte qendra e festës u frekuentua edhe nga vizitorë të huaj e vendas.
” Ishte ndjesi shumë e bukur këtu në Çajup sot, një pllajë e mrekullueshme dhe kënaqësi të merrnim pjesë për herë të parë në këtë event që po organizohet duke qenë se shtegëtimi në Shqipëri është futur edhe në rangun e trashëgimisë botërore të njerëzimit dhe jemi mes pak vendeve të botës ku tradita mirëmbahet”, tregon një vizitor.
Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale votoi përfshirjen e Transumancës në listën e trashëgimisë kulturore në UNESCO. Statusi i mbrojtjes është motivuar me mënyrën autentike të jetesës së barinjve, këngët, ritet, instrumentat, këmborët e zilet, veshjet e kulinarinë e staneve.
Festa e Transumancës u zhvendos në mbrëmje në qafën e pazarit të Gjirokastrës shoqëruar nga Eranda Libohova e Ylli Baka.
Top Channel