Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Malin e Zi, Rama: Shtigje të reja në rrugën e integrimit dhe nxitjen e tregtisë! Shpresojmë që brenda vitit të ketë ulje të tarifës për transfertat

16/05/2024 09:59

Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri e cilësoi këtë projekt frymëzues, i cili do të hapë shtigje të reja për vendet e rajonit, ndërsa do të ndikojë në rritjen e tregtisë me vendet e BE.

“Jam i zhgënjyer që Mali i ZI nuk ia doli të na priste me diell, por na mirëpriti me shiun gjerman. Pjesa tjetër çdo gjë është në rregull. Do zhvillojmë një seancë tjetër të këtij projekti frymëzues që do çelë shtigje të reja për të gjitha vendet e Ballkanit, për tregun e përbashkët të BE  dhe për rritjen e tregtisë, ndërkohë që krijon mundësi të reja për qytetarët tanë. Shpresojmë që brenda këtij viti transfertat financiare të qytetarëve tanë nga BE në vendet tona të jenë shumë më të lira, për të mos pasur barrën e shpenzimeve që kanë. Për pjesën tjetër duhet të punojmë”, tha Rama.

Ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi. dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien. Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian,etj.

Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare

Top Channel