“Thumanë-Kashar hapet në 30 qershor”, Balluku: Puna vazhdon me ritme të shpejta

13/05/2024 14:31

Puna po vijon me ritme të shpejta në autostradën e tipit A me katër korsi të Thumanë – Kashar.

Ky aks i dhënë me koncesion do të lehtësojë trafikun nga veriu drejt jugut, duke anashkaluar Fushë – Krujën, e cila gjatë verës mbingarkohet me automjetet e ardhura nga Kosova, Mali i Zi dhe veriu i vendit.

Sipas zv.kryeministres dhe njëherazi ministres së infrastrukturës, Belinda Balluku, rruga do të jetë gati për t’u hapur në fund të qershorit.

“Një nga kantieret më të rëndësishme që kemi sot si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar është kantieri Thumanë-Kashar. Një kantier i cili gëlon dhe për më tepër një kantier i cili ka një afat që kryeministri na ka vendosur, një afat shumë sfidues, duhet ta dorëzojmë në 30 qershor të këtij viti. Duket që ka një ecuri shumë të mirë. Këtu punohet me tre turne, disa procese fillojnë në 7 dhe përfundojnë në 12 të natës siç është pjesa e konglometratit apo e tapetit, ndërkohë që mbushja dhe procese të tjera vazhdojnë gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, tha Balluku.

Duke u ndalur më tej tek akset e tjerë të Korridorit blu, zv.kryeministrja tha se puna po vijon edhe për dy segmente të tjera, që janë në fazë negocimi.

“Korridori Blu ka disa segmente. Ky është segmenti i parë që ne dorëzojmë, Thumanë-Kashar, ndërkohë që jemi në fazë negocimi përsa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier. Përgatitemi shumë shpejt për të hapur garën për Milot-Balldren”, tha ministrja.

Korridori Blu pikën përfundimtare e ka deri në kufi me Greqinë, ndërsa përshkon të gjithë vijën bregdetare të Shqiptare nga Muriqani në Konispol.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA