Nga Endri Arizi

E diela e 12 majit riktheu edhe njëherë të kaluarën e erret në Ballkan. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis zgjodhi të injorojë kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe të udhëtojë drejt Turqisë për t’u takuar me Presidentin Erdogan për të sheshuar gërricjet e fundit me aleatin e NATO-s. Por teksa Athina gumzhiu nga mitingu i kryesocialistit dhe u “pushtua” nga flamujt kuqezinj dhe brohoritjet e emigrantëve shqiptarë që tejmbushën stadiumin “Galatsi”;në Maqedoninë e Veriut, Gordana Siljanovska bëri betimin e Presidentes. Ceremoni ku kryetarja e re e shtetit, anashkaloi marrëveshjen e Prespës dhe u betua në emër të Maqedonisë dhe jo Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Deklaratë që solli zemërim tek qeveria Mitsotakis, që u pa me braktisjen e ceremonisë nga ambasadorja greke në Shkup e më pas me qëndrimin e ashpër e Ministrisë së Punëve të Jashtme greke. Qëndrim i unifikuar që tregoi edhe njëherë qefëmbetjet e Greqisë sa herë që secili prej fqinjëve “anashkalon rregullat strikte” të vendosura sipas qejfeve të Athinës. ‘Kërcitja” me Maqedoninë e Veriut sapo i hapi rrugë retorikës së ashpër dhe tensioneve të nisura me Shqipërinë pas arrestimit te Fredi Belerit, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” që fitoi zgjedhjet në Himarë. Një bashki që të dy kryetarët e minoritetit grek si Beleri ashtu dhe Goro janë vendosur para drejtësisë. Por nga të dy, Athinës i dhimbset vetëm njëri: FREDI BELERI.

Që ka në krahë të gjithë ekstremistët grekë dhe që falë tyre, së bashku me Pirro Dhimën, zuri një vend në listën shumë emërorë të kandidatëve për zgjedhjet europiane. Qëndrimet kundër shqiptarëve dhe në mbrojtje të minoritetit, kanë rihapur edhe njëherë kapitullin e nacionalizmit ku grekët duket se po rikthejnë edhe njëherë operacionin “Fshesa”. Aksion policie që ktheu mbrapsht mijëra emigrantë shqiptarë dhe që u përmend dhe nga Rama gjatë mitingut në Athinë i cili bëri dhe një paralelizëm me dëbimin e çamëve.

Qëndrim që nuk u përtyp mirë nga shtypi grek, ku të gjitha faqet e para të gazetave e trubetuan si një fyerje. Dhe pse u tha vetëm e vërteta dhe pa dorashka. Një e vërtetë që peshon nën “supet e Akropolit” të lashtë pasi kali Trojës ka filluar të trembet dhe të mos i pëlqejë këto gjëra. Shqetësime që janë thelluar me afrimin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian. Por a do vijojë Mitsotakis që dhe kësaj here të nxjerr “kartonin e integrimit” nga xhepi dhe të kërcënojë me kushtëzim sërish. Hap që sapo u ndërmor ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila krahas pengesave nga Bullgaria iu rithye edhe njëherë debatit të stërgjatë me Greqinë. Trekëndëshit Tiranë-Athinë-Ankara tashmë iu shtua dhe Shkupi. Shumë tension për asgjë.

Probleme që janë rindezur me marrjen e qeverisë nga ana e Mitsotakis, që tashmë ka dështuar në politikën e jashtme dhe që po rivendos barrierat mes fqinjëve. Ndërkohë aktorët e tjerë europian marshojnë drejt fushatës elektorale pa u shpërqendruar nga klima “armiqësore” që po krijohet në Ballkan, në kohën kur rreziku rus ka shtrirë dhe tentakulat duke stimuluar serbet në Republikën Srpska që të kërkojnë shkëputje nga Bosnjë Hercegovina, ndërsa SHBA vijon misionin e saj paqeruajtës që të ruaj ekuilibrat. Gjithë problemi i kësaj situate, mbetet diplomacia. Secili prej aktorëve politik, po merr vëmendjen e publikut për të rritur popullaritetin përmes nacionalizmit.

Një rrugë që ofron mbështetje të madhe në kohë të shpejt, por që nga ana tjetër nxit probleme në politikën e jashtme. Qëndrimet e mbajtura nga Presidentja e Maqedonisë së Veriut, ishin të qëllimta e me vetëdije pasi demonstruan qartë nisjen e kapitullit të ftohjes së marrëdhënieve me Greqinë. Nga ana tjetër, Athina zyrtare tashmë ka humbur kontrollin e lojës dhe në pamundësi për të mbajtur kontrollin po i rikthehet skenarëve të kërcënimeve. Rol që e ka bërë dhe po e vijon për një kohë të gjatë me Shqipërinë, sidomos pas arrestimit të Belerit.

Ndonëse Ministria jonë e Punëve të Jashtme i ka shpjeguar gjithmonë faktin se nuk mund të ndërhy në punët e drejtësisë. Problemit të diplomacisë dhe thellimit të prishjes së marrëdhënieve të mira të krijuara në Ballkan pritet t’i shtohet Serbia, që në përbërje të qeverisë ka dy persona të listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, dhe që po i mëshon nacionalizmit të flakët. Ideologji kjo që po vret diplomacinë dhe po prish marrëdhëniet mes kombeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA