Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis viziton sot Turqinë për bisedime me homologun turk Rexhep Tajip Erdogan, qëllimi i të cilave është ruajtja e momentit pozitiv të arritur së fundi mes dy vendeve.
Turqia dhe Greqia, aleate në NATO por armike historike me njëra -tjetrën, kanë pasur përplasje prej kohësh për një sërë çështjesh duke nisur nga kufijtë detarë, rezervat e energjisë në Mesdheun Lindor, fluturimet mbi Detin Egje dhe Qiproja e ndarë etnikisht. Shpresa e dy liderëve tani është t`i mbajnë të ulura tensionet që i kanë çuar disa herë këto vitet e fundit vendet e tyre në prag të konfliktit të armatosur. Bisedimet pritet të përqëndrohen tek fushat e bashkëpunimit të mundshëm, duke përfshirë Rripin e Gazës dhe Ukrainën.
“Dy vendet janë duke diskutuar çështje si rritja e tregtisë, ndërtimi i një rruge të re në kufirin Turqi-Greqi apo udhëtimi pa viza për qytetarët turq në ishujt lindorë të Egjeut. Mendoj se të gjitha janë të rëndësishme për të rritur besimin në mes të palëve, të shtojnë kontaktet dhe të rrisin bashkëpunimin energjetik”, thotë Berkay Mandiraci, analist nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.
Teknologjia, turizmi, lidhjet ekonomike dhe emigracioni pritet të jenë tema të tjera diskutimi. Vizita e Kryeministrit Mitsotakis në Turqi ndalesën e Erdoganit në Athinë në muajin dhjetor. Të dy udhëheqësit duan t’i shfrytëzojnë këto zhvillime pozitive në disa fronte.
Ekspertët vërejnë se ndërsa marrëdhëniet greko-turke kaluan një periudhë shumë të vështirë tre deri në pesë vjet më pare, që nga tërmetet, që goditën Turqinë, të dyja palët treguan vullnet për të ulur tensionet. Sipas tyre megjithatë, nëse të dy vendet nuk zgjidhin mosmarrëveshjet territoriale në Egje, përpjekjet për pajtim do të jenë të brishta, veçanërisht pasi të dy ushtritë po riarmatosen.
Top Channel