Ukraina në luftime të vështira përgjatë kufirit, pasi siguroi ndihma të mëtejshme ushtarake

12/05/2024 21:58

Pasi u arrit miratimi i një pakete të re ndihmash amerikane prej 60 miliardë dollarësh, Ukraina po zhvillon beteja të vështira në kufijtë e saj, ndërsa mundohet të zmbrapsë sulmet ruse në rajonin Kharkiv.

Forcat ruse kaluan përtej kufirit të premten në rajonin Kharkiv, duke rrezikuar kështu çeljen e një fronti të ri në luftën që vazhdon prej 27 muajsh në jug dhe në lindje të vendit. Ushtria ruse njoftoi se ka marrë nën kontroll të paktën nëntë fshatra. Kievi thotë se i ka zmbrapsur sulmet dhe se po lufton për të rimarrë kontrollin e këtyre zonave.

Drejtuesi i ushtrisë ukrainase, Oleksander Syrskyi tha të dielën se forcat ukrainase po bënin gjithçka të mundshme për të mbajtur vijën e frontit.

“Njësitë e Forcave Mbrojtëse janë angazhuar në luftime të ashpra për të zmbrapsur përpjekjet e pushtuesve rusë për të çarë vijën mbrojtëse dhe i kanë ndalur ata”, shkruajti zoti Syrskyi në rrjetin Telegram.

“Situata është e vështirë, por Forcat Mbrojtëse të Ukrainës po bëjnë gjithçka për të mbajtur pozicionet mbrojtëse dhe për t’i shkaktuar dëm armikut”, shtoi ai.

Ukraina është duke bërë përpjekje mbrojtëse disa muaj pasi u ngadalësuan furnizimet me municione amerikane. Forcat ruse kanë një avantazh domethënës në rekrutë dhe municione.

Zëdhënësi ushtarak Nazar Voloshyn tha për televizionin ukrainas se ofensiva kryesore ruse ishte ndaj qyteteve Vovchank dhe Lyptsi, rreth 20 km pranë Kharkivit, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.

Në vitin 2022, pak pas fillimit të sulmit frontal, forcat ruse arritën deri në rrethinat e qytetit Kharkiv, por u zmbrapsën sërish deri përtej kufirit.

Ukraina sulmon me raketa një bllok apartamentesh ruse, vret 7 persona

Sidoqoftë, Ukraina ka vazhduar kundërsulmet edhe përtej kufirit.

Të paktën shtatë persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën kur një pjesë e tërë e një blloku apartamentesh ruse u shembën pasi u goditën nga një raketë e epokës sovjetike lëshuar nga Ukraina. Rusia tha kishte arritur ta rrëzonte raketën.

Në një nga sulmet më të përgjakshme deri më tani në rajonin e Belgorodit, Ukraina nisi atë që zyrtarët rusë thanë se ishte një sulm masiv me raketa me balistike ‘Tochka’ dhe sisteme raketash të shumëfishta ‘Adler’ dhe ‘RM-70 Vampire’ (MLRS).

Pamjet nga vendi i ngjarjes treguan pjesë të ndërtesës me të paktën 10 kate tek shembej e njerëz që vraponin për të shpëtuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se gjatë sulmit, të cilin e quajti “sulm terrorist në zonat e banuara”, ishin përdorur të paktën 12 raketa.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia thonë se nuk kanë si objektiv të sulmeve të tyre civilët , megjithëse shumë civilë janë vrarë në luftë nga të dyja palët. Deri tani nuk ka patur asnjë koment nga Ukraina lidhur me sulmin./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA