Në një rrëfim të rrallë, gazetari Rezar Xhaxhiu tregoi për punën në ambasadën shqiptare në Rumani, takimi me Çausheskun dhe mbrojtjen e ambasadës me kallashnikov pa fishekë.
Xhaxhiu, i cili nga viti 1987 e deri në marsin e 1991-it, shërbeu pranë asaj ambasade, rrëfeu për gazetarin Edi Manushi në “E diell” se si i përjetoi stafi i asaj ambasade me në krye ambasadorin Pirro Vito, ngjarjet e bujshme të protestave masive të popullit rumun, ku për disa ditë me radhë, personeli i asaj selie diplomatike, u detyrua të armatosej.
“Ndodhi revolucioni i 89’. Si në çdo revolucion kur përhapet një fjalë nga më idiote, u hap fjala që Çaushesku ishte strehuar në ambasadën shqiptare në Bukuresht. Ne shikojmë që ambasada rrethohet me tanke dhe na vjen urdhri nga Tirana që duhet të mbrojmë ambasadën.
Ambasadat tona kanë të gjitha një arkë me armë. Arka jonë datonte që në 52’, ishin të ndryshkyra me merimanga. Ambasadori tha merre këtë kallashin tha dhe pozicioni është në kat të dytë. Filluan kontaktet diplomatike, ambasadori tha mblidheni mendjen, si mund të mendoni që Çaushesku është fshehur te ne. Gjatë kohës së këtyre bisedimeve u kap në dalje të Bukuresht dhe aty u tërhoqëm. Nga qeveria e kohës na vinin telegrame. Një telegram e kujtoj si sot “shok, shtrëngoni radhët, tani jeni kështjella e fundit e socializmit.” Ky telegram dërgohej në mënyrë që të mobilizoheshim”-tregoi gazetari ndër të tjera.
Top Channel