Kryeministri Rama do zhvilloje takimin e shumë përfolur me shqiptarët në Athinë sot në orën 11:00.
Vizita e tij, ka ngritur në këmbë autoritetet greke, ku nën masa të rrepta sigurie me 1000 punonjës policie, do sigurojnë mbarëvajtjen e këtij takimi. Stadiumi Galatsit është “sterilizuar” nga qen të trajnuar dhe pajisje speciale për zbulimin e mjeteve shpërthyese, si dhe po monitorohet dhe ka akses të kontrolluar. Dronët dhe helikopterët do të monitorojnë vazhdimisht zonën, ndërsa snajperët nga EKAM do të jenë në pika të përzgjedhura.
Kryeministri Rama i cili ka folur për median greke Kathimerini këtë të diel, u shpreh se kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, e konsideron si një mik të mirë dhe që e respekton shumë.
Ai pohon gjithashtu se kryeministri grek më shumë se çdo paraardhës i tij, me të cilin ka punuar, është vërtet i interesuar për forcimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ai përmend gjithashtu se plani për fjalimin e tij në Athinë nuk do ketë lidhje fare me rastin e Fredi Belerit.
“Duam ta bëjmë drejtësinë të pavarur nga pushteti politik për herë të parë që kur Shqipëria shpalli pavarësinë nga Perandoria Osmane”, theksoi Rama.
Top Channel