“Po përballemi me një luftë hibride”, kryeministri polak: Do të ndërtojmë fortifikata në kufirin lindor

11/05/2024 22:21
Kryeministri polak Donald Tusk me ushtarët në kufirin lindor

Kryeministri polak Donald Tusk tha të shtunën se Polonia po fillon punën për forcimin e mëtejshëm të të gjithë kufirit lindor, pasi vendi përballet me atë që ai e quajti një “luftë hibride” në rritje lidhur me migrimin e paligjshëm nga Bjellorusia.

Tusk nuk dha detaje në lidhje me veprimet e planifikuara, as fondet që do të ndahen, por tha se kur bëhet fjalë për sigurinë e Polonisë nuk do të ketë “kufizime”.

“Kufiri Polako-Bjellorusi është një vend unik për shkak të presionit të emigracionit të paligjshëm. Në fakt, kemi të bëjmë me një luftë hibride që po përparon,” tha kryeministri teksa vizitoi kufirin dhe takoi ushtarët kufitarë.

“Unë dua që këtu të mos ketë dyshime një vend me synime gjithnjë e më agresive ndaj Polonisë, si Bjellorusia, po bashkëorganizon këtë praktikë në kufirin polak.”- shtoi ai.

Qeveria e mëparshme e Polonisë dhe Bashkimi Evropian akuzuan Bjellorusinë në vitin 2021 për orkestrimin e një fluksi emigrantësh për të bërë presion ndaj BE-së mbi sanksionet që vendosi ndaj Minskut. Bjellorusia mohoi akuzat.

Përpjekjet për të kaluar kufirin kanë vazhduar që atëherë, me shifra të luhatshme në varësi të motit. Roja kufitare polake thotë se aktualisht ka rreth 300 përpjekje për të kaluar ilegalisht në ditë.

Marrëdhëniet e tensionuara mes fqinjëve janë acaruar më tej nga pushtimi i Ukrainës nga aleati i Bjellorusisë, Rusia.

Qeveria e mëparshme ndërtoi një gardh në kufirin polako-bjellorusi që ishte mbi 180 km i gjatë dhe 5.5 metra i lartë, për të mbrojtur kundër migrimit të paligjshëm. Ai plotësohet nga një sistem kamerash dhe sensorësh që monitorojnë kufirin.

Tusk tha se fortifikimet e reja do të jenë përgjatë “të gjithë kufirit lindor”, i cili mund të përfshijë gjithashtu Ukrainën dhe Rusinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA