Pas stuhisë diellore, “mrekulli” në qiell: Aurora borealis mbi disa vende europiane

11/05/2024 12:13

Aurora boreale ndriçuan mbrëmjen e djeshme qiellin në një pjesë të kontinentit europian, duke krijuar skena mahnitëse që rrallë shihen në këto zona të tij.

Dritat e veriut, sikurse njihen ndryshe, u panë mbi Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën dhe shumë vende të tjera. Një fenomen jo dhe aq i pazakontë ky, sipas ekspertëve të NOAA-s, Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së. Një fenomen i ngjashëm si mbrëmë u regjistrua edhe në nëntor të vitit 2023.

Aurora krijohet kur elektronet e erës diellore përplasen me atomet e shtresave të sipërme të atmosferës në një lartësi prej 80-150 km. Në hemisferën veriore, shumica e këtij aktiviteti zhvillohet brenda një brezi të njohur si aurora ovale, e cila mbulon gjerësi gjeografike midis 60 dhe 75 gradë.

Është e gjitha pjesë e aktivitetit diellor që rritet ndërsa Dielli i afrohet pikut të ciklit të tij 11-vjeçar, thotë The Guardian. Aktivitete të tilla në qiell, nga sa shpjegoi dhe NASA, nuk përbënin një kërcënim serioz për shtatë astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Shqetësimi më i madh ishte rritja e niveleve të rrezatimit dhe ekuipazhi mund të lëvizte në një pjesë më të mbrojtur të stacionit nëse ishte e nevojshme, theksuan drejtues të saj. Fenomeni, ka mundësi të jetë ende i dukshëm edhe mesnatën e sotme. Sipas NOAA-s, dritat në qiell janë parë deri në Alabama dhe në veri të Kalifornisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA