Qendra e emigrantëve në Shqipëri ishte planifikuar të hapej më 20 maj, media italiane: Nuk ka përfunduar ndërtimi

09/05/2024 10:47

Agjensia italiane e lajmeve ANSA thotë se hapja e qendrave të emigrantëve në Shqipëri, e planifikuar të ndodhte në 20 maj, është shtyrë.

“Inxhinierët ushtarakë italianë që punojnë në kantieret e Shëngjinit dhe Gjadër, sipas marrëveshjes ndërmjet Romës dhe Tiranës, nuk kanë përfunduar ende ngritjen e objekteve”, shkruan ANSA, ndërsa shton se vënia e tyre në funksion duhet të konfirmohej nga Ministria e Brendshme me një njoftim paraprak 15 ditor.

Kontratën për menaxhimin e strukturave për 24 muaj, thuhet më tej e ka fituar grupit Medihospes me një ofertë prej 133.8 milionë euro. Marrëveshja e firmosur  mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama për ndërtimin në territorin shqiptar të dy qendrave pritëse për migrantët që nisen nga Afrika e Jugut drejt Italisë, parashikon që emigrantët që do dërgohen në Shqipëri mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, teksa Roma të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Sipas ekspertëve, teorikisht marrëveshja, ujdia e cila parashikon që qendrat do të veprojnë sipas juridiksionit të Italisë, nuk sjell ndërlikime për Shqipërinë. Marrëveshja u përshëndet në muajin dhjetor nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila e përshkroi atë si një shembull “të të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet sipas BE-së dhe ligjit ndërkombëtar”.

Top Channel