Partia VMRO-DPMNE shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e djeshme parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

Ajo mori 58 nga 120 vendet në parlament. Ndërkohë, Lidhja Social Demokrate konsiderohet humbësja më e madhe; ajo arriti të marrë 18 vende ligjvënësish, 1 më pak se Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin Fronti Evropian. Ndërkohë, Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-së dfo të jetë gruaja e parë presidente në Maqedoninë e Veriut.

Një fitore të thellë të zgjedhjeve të dyfishta nuk e kishin pritur as vetë zyrtarët e lartë të VMRO-DPMNE-së konservatore. Por, duke parë humbjen e madhe të social-demokratëve, duket se vota e djeshme ishte një masë ndëshkimi për ta.

VMRO-DPMNE-ja me numrin e deputetëve që siguroi pritet ta ketë shumë të lehtë formimin e qeverisë dhe për këtë duket se me padurim e pret koalicioni i partive shqiptare i njohur me emrin “VLEN”. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski paralajmëroi mbrëmë se duke filluar nga sot mund të fillojnë takimet lidhur me qeverinë e re. VLEN arriti të sigurojë 13 vende deputetësh.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim me koalicionin Fronti Evropian dolën forca e dytë politike në vend, me 19 vende ligjvënësish nga 120 sa ka parlamenti, por megjithatë VMRO-ja shprehet kundër pranisë së ish-partnerit të dikurshëm në kabinetin e pritshëm qeveritar.

Drejtuesi i BDI-së, Ali Ahmeti nuk duket se dëshiron ta pranojë rolin opozitar. Ai thotë se vullneti i popullit i shprehur në votime e ruan qëndrueshmërinë, sigurinë dhe të ardhmen e vendit. Fronti Evropian fitoi 30 mijë vota më shumë se koalicioni VLEN. Por ky i fundit i cilëson ato vota të komuniteteve pakicë, turke, rome, boshnjake etj.

Lidhja Social Demokrate me 153 mijë votat dhe 18 ligjvënës shënoi rezultatin më të keq që mbahet mend ndonjëherë në zgjedhje, që nga pavarësia e vendit.

Partia e quajtur ‘Znam’ mori 6 vende në parlament dhe ajo ka shprehur vullnet për të qenë pjesë e qeverisë, por me kusht pa BDI-në brenda saj. Në një rast të tillë shumica e re parlamentare do të kishte 77 vota në parlament, shumë afër dy të tretave. partia tjetër nancionaliste “E Majta” po ashtu fitoi 6 vende në parlament, por as ajo nuk është e dëshirueshme për partnere në pushtetin ekzekutiv.

VMRO-në e presin një numër sfidash, ndër to çështja e ndryshimeve kushtetuese, rezistenca ndaj të cilave duket se i siguroi asaj fitoren e thellë.

Ndonëse VMRO-ja mori mbi 430 mijë vota në zgjedhjet e djeshme, nga ana tjetër ka skepticizëm tek një pjesë e banorëve për politikat e saj kundrejt integrimit në BE:

“Asgjë nuk pres, asgjë. Sepse ata do të na kthejnë prapa në vend se të përparojmë drejt Bashkimit Evropian”, thotë një banor i Shkupit.

“Do të shohim nëse iu përmbahen premtimeve”, komenton një banore tjetër.

Analistët vlerësojnë se fitorja e thellë e VMRO-së është rezultat në radhë të parë i refuzimit të partisë ndaj ndryshimeve kushtetuese, të cilat megjithatë janë çelësi i avancimit të vendit drejt BE-së.

Simonida Kacarska thotë se mbetet për t’u parë qasja e VMRO-së ndaj këtyre ndryshimeve:

“Ka një konsensus nga partitë shqiptare se nuk do të hyjnë në një koalicion me disa parti. Mund të ketë lëvizje”, shprehet analistja, duke shtuar se VMRO-ja do të ketë shumë më tepër pushtet në të gjitha fushat e shoqërisë:

“Ka shqetësime lidhur me qeverisjen e saj (VMRO-së) në të kaluarën, në fund të vitit 2016; ka shqetësime se si do të materializohet kjo, por mendoj se të gjithë ne shpresojmë se janë nxënë disa mësime të vlefshme nga ajo periudhë”, thotë analistja.

Maqedonia e Veriut do te ketë dhe gruan e parë presidente. Gordana Siljanovska Davkova mori 560 mijë vota apo 65% kundrejt presidentit aktual Stevo Pendarovski që siguroi pak mbi 250 mijë vota, apo 29 përqind. Zoti Pendarovski fajëson BDI-në për bojkotin e heshtur të zgjedhjeve presidenciale, ndërsa nga ana tjetër ka të ngjarë që përkrahësit e koalicionit VLEN ta kenë votuar zonjën Siljanovska, për çka flasin shifrat e larta. Rrallë ka ndodhur që një parti maqedonase të arrijë mbi 500 mijë vota në të gjithë periudhën e pas pavarësisë.

Misioni i vëzhguesve të ODIHR-it, Asamblesë parlamentare të Këshillit Evropian dhe të Parlamentit Evropian në vlerësimin e parakohshëm e cilësojnë procesin si konkurrues ndërsa liritë themelore u respektuan, por se mbeten mangësi:

“Legjislacioni zgjedhor ofron një kornizë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, por mospërputhjet, zbrazëtirat dhe paqartësitë e vazhdueshme rrezikojnë sigurinë ligjore”, tha në një konferencë shtypi Nikoloz Samkharadze, përfaqësues i vëzhguesve të OSBE-së.

Vëzhguesit vërejnë praninë e retorikës negative dhe nacionaliste në fushatë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA