Është ndezur fushata elektorale në Maqedoninë e Veriut.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dhe lideri i partisë më të madhe opozitare në vend, VMRO DPMNE Hristian Mickoski kanë shkëmbyer replika të ashpra me njëri-tjetrin.
“Është koha që BDI të zëvendësohet me parti që do të punojnë për një siguri dhe të ardhme për të gjithë qytetarët”, deklaroi Mickoski, duke ngjallur zemërimin e kreut të Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili i kujtoi se nuk ka nevojë për zemërim, se ai ka brohoritur “UÇK”, se ajo e shpëtoi Maqedoninë.
Pasi Hristijan Mickoski e përmendi koalicionin opozitar “Vlen” si partner potencial të VMRO-DPMNE-së në qeverisjen e ardhshme, BDI kujtoi gabimin e vitit 2006 kur në qeveri hyri partia e dytë e shqiptarëve dhe jo fituese.
“Opozita nuk duhet të bëjë gabimet që i ka bërë ish-kolegu im në vitin 2006 – partia e atëhershme e ka bërë këtë gabim dhe e ka paguar çmimin e lartë”, u shpreh Ahmeti. Në vitin 2006, VMRO-DPMNE formoi një qeveri me PDSH-në, një parti që atëherë fitoi më pak vende se BDI.
“Ne shqiptarët nuk jemi përfaqësues të një pakice, ne jemi përfaqësues legjitimë të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe tani Fronti përfshin komunitetin rom, turk dhe boshnjak. Populli vendos”, shtoi ai.
Ahmeti këmbënguli se në politikë ka hyrë si kryengritës dhe se populli e ka votuar për 22 vjet.
“Kam formuar një front me partitë politike shqiptare. Këtë front e kam bërë të pathyeshëm duke përfshirë komunitetet që ju i përbuzni, siç janë komuniteti turk, rom dhe boshnjak. Ne po mundohemi që kjo Kushtetutë, të cilën e bëmë edhe më afër qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të përfshijë komunitetin bullgar, egjiptian, malazez dhe kroat. Marrëveshja e Ohrit dhe ndryshimi i statusit politiko-juridik të shqiptarëve nuk e shkatërroi Maqedoninë”, u shpreh ai.
Top Channel