Ekipi shqiptar  triumfoi në konkursin botëror të sigurisë kibernetike në Dubai. Ekspertët e IT nga institucionet kombëtare zyrtare sollën në Shqipëri kupën e vendit të parë në garën mes 108 vendeve.

Shqipëria fitoi vendin e parë në kompeticionin ‘Global cyberdrill’ të organizuar nga këshilli kombëtar i sigurisë kibernetike në emiratet e bashkuara arabe. Një garë e fortë ndërkombëtare mes 108 shteteve, ku ekipi shqiptar me tre ekspertë IT nga Agjencia kombëtare e shoqërisë së informacionit dhe Autoriteti i sigurisë kibernetike la pas specialistët e vendeve të zhvilluara.

Është eventi më i madh botëror në fushën e sigurisë kibernetike. Për kompeticionin ishte rekord Guinness që komisioni teknik kishte 108 shtete. Të gjithë pjesëmarrësit janë në institucione zyrtare që mbulojnë sigurinë kibernetike nga të gjithë shtetet. Praktikisht të gjithë sulmet që kemi pasur, duke i zgjidhur efektin e tyre ne na ka bërë që të rritemi profesionalisht, të jemi krenar për çfarë kemi arritur jo vetëm për kolegët apo për veten tonë, por edhe për Shqipërinë. Edhe pse një vend i vogël mund të arrijmë gjëra të mëdha”-shprehet Ilir Daka- ekspert IT, AKCESK.

Çelësi i suksesit duket se është përvoja e krijuar në institucionet shtetërore mbi reagimin për sulmet kibernetike… Por përfaqësuesit e Shqipërisë në konkursin global në Dubai, tregojnë se nuk ka munguar konkurrenca.

“Natyra e konkursit ishte që në bazë të shpejtësisë dhe saktësisë të pyetjeve  listoheshin ekipet kombëtare. Vetë eventi ishte simulim i tre skenarëve të ndryshëm të sulmeve kibernetike, konkretisht kishte natyrë të punës së agjencive ligjzbatuese, hetimin, analizimin dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Eksperienca në përditshmëri duke reaguar në sulme të tilla mendojmë se na dhanë një avantazh. Sigurisht që shtetet europiane kanë një nivel mjaft të lartë të sigurisë kibernetike, por në konkurrencë pamë që Egjipti dhe Maroku ishin në nivel mjaft të kënaqshëm”-shprehet Franc Zylyftari- ekspert IT, AKSHI.

Koha ishte goxha e limituar, duhet ta përfundoje ushtrimin brenda 2 orë e 30 minutave, ne ja dolëm për 1 orë e 30 minuta. Shqipëria realisht këto dy vitet e fundit ka bërë shumë progres dhe u ndjemë shumë mirë kur vendet e botës na duartrokitën dhe ndanë me ne sfidat që kishin në sigurinë kibernetike…“-shprehet Adriano LLeshi- ekspert IT, AKCESK.

Top Channel