Deputetja socialiste, Ermonela Felaj gjatë fjalës së saj në foltoren e Kuvendit, pati disa kritika për kolegët e saj demokratë për të cilët tha se nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët që i kanë zgjedhur.
Ajo tha se ka deputetë të cilët nuk kanë folur kurrë për problematikat e zgjedhësve dhe se të vetmen retorikë politike, kanë përbaltjen e qeverisë me akuza të paqena.
“Kjo seancë do duhej t’u referohej zgjedhësve. Kjo hapësirë është caktuar nga rrgullorja për të trajtuar problema specifike në qytete, fshatra dhe lagje. Deputetë që uzurpojnë kohë të tëra fjale që nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhësit por vetëm me garën e tyre se kush hedh më shumë baltë ndaj palës tjetër politike. Kjo seancë keqpërdoret sepse nga kjo anë një pjesë e deputetëve nuk kanë asnjë lidhje me njerëzit, shihni edhe faqet e tyre sociale.
Është e papranueshme sesi në këtë kuvend gjallojnë deputetë të cilët nuk kanë folur asnjëherë në komisione apo foltore për zgjidhje sesi mund të bëhet më mirë. E gjithë retorika e tyre përmbliidhet në sharje dhe ulërima, duke menduar se këtu i kanë sjellë të bëjnë të fortin”- tha deputetja.
Ajo tha se kjo mënyrë e të bërit opozitë bën që qytetarët të mendojnë se nuk kanë alternativë tjetër, ndërsa u kërkoi deputetëve demokratë që të mos hedhin akuza mbi Shqipërinë gjatë vizitave të tyre në institucione të ndryshme europiane.
“Të humburit në rrugën e të bërit opozitë. Kjo i lë qytetarët pa alternativë. Një pjesë e quajnë të zgjuar çdo të quajtur “çmenduri” për dëshpërimin që i ka kapur. Shqipëria nuk është narkoshtet dhe thojani këtë BE-së, këshillit Evropian apo cdo asambleje parlamentare ku shkoni të flisni për Shqipërinë sepse të gjitha këto instanca e marrin vendin tonë si shembull. Korrupsioni nuk është pjellë e majtë por pjellë e shoqërisë dhe ne po mundohemi ta luftojmë këtë”- shtoi ndër të tjera Felaj.
Top Channel