Provimi i Magjistraturës/ “Hera e parë që ky proces vishet me hije skandali”, Bardhi përplaset me Ndrecën: A ka mundësi, as etikë minimale nuk ka

29/04/2024 11:57

Provimi i Magjistraturës ka përplasur kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Plarent Ndrecën në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut që po zhvilllohet këtë të hënë.

Ai ka kërkuar të thirret drejtori i Shkollës së Magjistraturës për të dhënë shpjegime në lidhje me atë çfarë ka ndodhur me listën e fituesve.

Bardhi:  Ne nuk mund të bëjmë sikur nuk e kemi parë ate që ka ndodh në konkursin e Shkollës së Magjistraturës. Kemi parë në media, që lista e fituesve  është shtuar 3 herë. Ne si komision do duhet të therasim në pyetje Drejtorin e Shkollës  së Magjistraturës. Nëpërmjet këtij Komisioni të informohet edhe opinioni publik. Të kuptohet se çfarë ka ndodh me Shkollën e Magjistratures. Është hera e parë qe ky proces vishet me hije skandali. Nuk po bëj përgjegjës askënd por kemi të drejtë të informohemi çfarë ka ndodhur me konkursin e magjistraturës. 13 persona janë në listë ne patronazhistëve të PS.

A mund të jenë me meritë në atë proces? Patjetër që mund të jenë, nuk dua t’i paragjykoj. Fakti që është patronazhist nuk do të thotë që nuk meriton të ketë karrierë, patjetër që meriton. Futja e patronazhistëve në shkollën e magjistraturës është ndërhyrje flagrante e politikës në drejtësi. Por po e mbaj tek parimi.

Nuk dua ta politizoj, por për mua është shumë me interes që konkursi i shkollës së magjistraturës praktikisht garanton sistemin për 20 apo 30 vitet në vijim të mos ketë asnjë hije dyshimi. Dhe kam të drejtën si deputet që të kërkojmë në një seancë dëgjimore një drejtues të institucionit shtetëror në rastin konkret drejtorin e Shkollës së Magjistraturës për të na informuar për aq sa e lejon ligji. Nga 70 fitues që  u zgjuan në  mëngjes, shkoi në 140 në darkë. Lista e patronazhistëve është publike, mjafton të shohësh emrat dhe një pjesë prej tyre…13 persona janë në listën e patronazhistëve të PS.

Majko: Unë mendoj qe kemi një rend dite për të diskutuar. Shkolla e Magjistraturës nuk varet nga parlamenti, ka institucione të tjera që rregullojnë një marrëdhënien me shkollën e magjistraturës.

Unë e kuptoj shqetësimin që mund të keni në parim, vetëm mos e politizoni, ata që e kanë fituar janë patronazhistë, kjo është qesharake. Unë mendoj që cdo gjë që ju nuk ju pëlqen, ju jeni të prirur që ta shikoni si lodër politike të mazhorancës. Mirëkuptoni një gjë, është një sistem që nuk varet nga ne. Duke e vlerësuar këtë lloj shqetësimi për numërimin elektronik apo problemet që janë shfaqur atje, mendoj se situata nuk mund të politizohet dhe aq më tepër të bëjmë një seancë të vecantë duke thirrur përfaqësues të magjistraturës, për në thelb kjo është edhe paligjshme.

Ndreca: Nëse ne e thërrasim, zonja kretare, a ka mundësi as etikë minimale nuk ka, edhe nuk ka durim të dëgjohet deri në fund një fjali, nëse e bëjmë këtë gjë jemi duke shkelur Kushtetutën. S’mund të dalim në konkluzione për këtë gjë, i bie sikur të thërritet KLGj për çështje të brendshme të saj.

Top Channel