“Mos të vonohemi, mund të krijohet perdja e re e hekurt”, Michel: Ballkani Perëndimor duhet të anëtarësohet sa më shpejt në BE

29/04/2024 20:46
Charles Michel

Bashkimi Europian duhet të zgjerohet ose rrezikon të përballet me një perde të re të hekurt. Kështu u shpreh presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ndërkohë që unioni shënon 20 vjet nga zgjerimi më i madh i bërë ndonjëherë në 2004-ën kur 10 vende u anëtarësuan.

“Zgjerimi është jetik për të ardhmen e BE-së sepse pa zgjerim, ekziston një rrezik për një perde të re të hekurt. Do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme nëse do të kishit një zonë të paqëndrueshme me mungesë prosperiteti ose mungesë zhvillimi ekonomik. Këto janë interesat tona të përbashkëta – të vendeve kandidate dhe BE, të bëjmë përparim, të përshpejtojmë,”– u shpreh Michel.

Duke folur në kuadër të 20 vjetorit të zgjerimit të madh, Michel tha se nëse ajo gjë nuk do të kishte ndodhur, atëherë ato vende do të ishin shënjestruar nga përpjekjet politike dhe ideologjike ruse.

Nëntë vende nga Evropa Lindore dhe Ballkani Perëndimor janë aktualisht duke pritur për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së. Procesi i anëtarësimit në bllok është jashtëzakonisht i gjatë dhe kompleks, me vendet kandidate që u kërkohet të përmbushin kërkesat e ashpra të BE-së, duke përfshirë reforma të rëndësishme gjyqësore dhe kushtetuese.

Ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka sjellë një shtysë të re në politikën e fjetur të zgjerimit të BE-së. Përpjekjet për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit rrezikojnë të pengohen nga shtetet anëtare më skeptike.

Top Channel