Lënda plasëse në banesën e Tonin Sterkajt, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë: Sulm i pabesë e burracak që ka për qëllim cenimin e rendit e të sigurisë publike

29/04/2024 10:11
Pamje nga vendngjarja

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë e konsideroi sulm të pabesë e burracak që ka për qëllim cenimin e rendit e të sigurisë publike, vendosjen e lëndës plasëse në derën e gjyqtarit të Shkodrës Tonin Sterkaj.

Reagimi i plotë:

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, si grupimi më i madh vullnetar, që ka për qëllim kryesor mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë shpreh shqëtësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërthu në derën e banesës së kolegut tonë, gjyqtar Z.Tonin Sterkaj.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve por edhe cënimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë!

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparëshme, për të indetifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar krimininal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarevë te tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prospertitetin e vendit.

Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i përcjell edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me organet shtetërore, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në rradhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë!

Kujtojmë se rreth orës 03.00 të mëngjesit gjyqtarit Tonin Sterkaj iu vendos lëndë plasëse në oborrin e banesës së tij në qytetin e Shkodrës.

Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani gjyqtari ka deklaruar në polici se nuk kam dijeni kush e ka bërë.

“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.

Nga raportimet e para bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendngjarje po heton mbi këtë rast dhe personin apo personat që kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse dhe shkaqet.

Top Channel