Në seancën dedikuar dhënien zë të shqetësimeve të qytetarëve në parlament, më e interesuara duhet të ishte opozita.
Por në fakt kreu grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi, vendosi në plan të parë jo zgjedhësit e tij por tentoi të amplifikoi debatin mes kryeministrit Edi Rama dhe RAI3.
“Ky Kuvend sot, edhe në emër të qytetarëve që përfaqësojmë në këtë sallë, duhet të distancohet nga sjellja e Edi Ramës ndaj medias shtetërore italiane Rai 3, por mbi të gjitha duhet të distancohen nga modeli qeverisës që ka ndërtuar Edi Rama, model që turpëron Shqipërinë.Ky investigim në asnjë rast nuk sulmon Shqipërinë, por nxjerr të vërtetat lidhur me Qeverinë e Edi Ramës, që ka treguar në këto 11 vjet se ka fuqizuar krimin e organizuar dhe dobësuar qytetarin e ndershëm.“-u shpreh Gazment Bardhi.
Përgjigjen e mori nga Elisa Spiropali ministre për marrëdhëniet me parlamentin e cila përmes doza të shumta të ironisë e quajti programin Report në RAI3, si një marrëzi e prodhuar në Tiranë me ambalazh italian.
“Siç ka blerë departamentin e shtetit, Home Office, shtypin suedez, opinionin publik ne Evropë, Melonin, Sanchezin, këshillin e Evropës dhe komisionin e venecias. Siç ka blerë të gjithë dhe gjithkënd. Ky diktatori i Tiranës që ka blerë nëntë fitore elektorale në Shqipëri, që do të fitojë edhe tjetrën që është në prag, që shet Shqipërinë për të blerë vota dhe shet edhe shokët për të blerë ndërkombëtarët, mund ti ketë çuar Rai-t nja 30 a 70 meleonë me euro. Nga ato që i kanë tepruar mbasi bleu Melonin, ndoshta.
Mbasi shpikën, sajuan, prenë dhe qepën çfarë dëgjojnë dhe çfarë mendojnë se e shpik makthi i tyre më i madh, dëgjuan në italisht një pjesë të përçarjes së tyre dhe tani kërkojnë hesap se për të kuptuar se çfarë kanë thënë në përçartje. Me atë teknologjinë e djegies së gjithë Shqipërisë për hir dhe llogari të pleshtave që hidhen nga paralelja në paralele dhe bërtasin nga penxherja në penxhere. Nuk ka rëndësi përbaltja e vendit, por shpresa që pak nga kjo baltë e Tiranës të tregtohet nga shejtanë budallenjtë e paketuar në italisht“-u shpreh Spiropali.
Pavarësisht këtyre debateve, më pas deputetët mundën të shpalosin shqetësimet e zonave të tyre elektorale.
Top Channel