Analiza/ Shpresat e Gjobopozitës se do luftojë Ramën me investigime në italisht dhe interesi vetëm për zhurmë e tollovi

29/04/2024 10:45

Nga Desada Metaj

Rai 3 nuk e transmetoi investigimin e paralajmëruar dhe e fiku me një pikë…ujë gjithë entuziazmin e revolucionit permanent që i kishte var shpresat se do mundte Ramën me reportazhin në italisht. Ata që duhet të denoncojnë, investigojnë dhe vënë para përgjegjësisë hajdutët e qeverisë si zakonisht përpiqen ti nxjerrin gështenjat me duart e raporteve, shkrimeve dhe analizave në gjuhë të huaj. Në reportazhin e para një jave kishte gjysëm të vërteta, por të gjitha ishin në funksion të luftës që e majta në Itali ka me kryeministren Meloni. Dhe sovranistët i varën shpresat tek luftërat e brendshme të shtetit italian. Këtu nis dhe mungesa e moralit për të bërë betejën e vërtetë me Ramën dhe jo show revolucionar drejtimin e të cilit e mori drejtori i TV publik të Italisë.

Nëse Rai-t do ti kishte pas merakun e korrupsionit mes zyrtarëve shqiptarë dhe atyre italianë mund të investigonte se sa ish zyrtarë të shtetit italian kanë blerë e gëzojnë prona në Shqipëri? Nga i kanë blerë? Me çfarë çmimi dhe si ka mundësi që shumë prej tyre u pasuruan gjatë misioneve në Shqipëri? Këtë kolegët e Rai-t për shkak të hapësirave dhe mundësive që kanë mund ta bëjnë më mirë se ne. Por që të na tregojnë se Rama mund tua lërë në mes investigimin nuk kemi nevojë. Për këtë kemi plot raste për ti “shijuar” në shqipen tonë të pastër

Nëse kishin merakun e sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë, italianët mund të investigonin atë që një pjesë e medias shqiptare e ka bërë prej kohësh. Përfshirjen e Agaçit në skandalin e inceneratorëve. Në datën 16 dhjetor të vitit 2014, nën drejtimin e tij u përshpejtuan 17 procedura brenda ditës për inceneratorin e Elbasanit nga Këshilli i Ministrave.Engjëll Agaçi është personi zyrtar që ka detyrimin për të verifikuar ligjshmërinë e akteve. Ai është sekretari i Përgjithshëm i kryeministrit, që verifikon përputhshmërinë ligjore të akteve që kalojnë në qeveri.

Italianët kanë hallet e tyre dhe nuk bëhen shumë merak se si vjedhin shqiptarët njëri tjetrin. Në rastin e gjysëm investigimit ata thjesht përdorën entuziazmin e Gjobozitës shqiptare për t’u dukur si flamurtarë të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Sepse në thelb as Gjobozita nuk e do të vërtetën. Asaj i interesojnë vetëm zhurma dhe tollovia për t’u dukur sikur po lufton me Ramën ndërkohë që i rrit pazarin vetes për marrveshjen e radhës.

Italianët, anglezët, amerikanët, gjermanët e gjithë të tjerët nuk kanë bërë asgjë më shumë se ç’kanë thënë e kanë shkruar gazetarët shqiptarë. Këta të reportazhit të fundit thjesht kanë folur në italishten komuniste të Rai3. Dhe e lanë betejën në mes ndoshta për një çmim më të lartë se ai lokal. Kështu që Gjobozita, nëse i ka var shpresat se do luftojnë Ramën me investigime në anglisht, gjermanisht apo italisht më mirë të varet te ballkoni i shpresës e të presë se mos kap ndonjë thërrime nga ato që Rama ua hedh sa herë i nevojitet për t’u dukur krahasimisht më mirë se ta.

Top Channel