Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi foli gjatë seancës parlamentare, për taksimin e 29 mijë profesionistë të lirë.
Ai tha se veprimi i qeverisë është një kurth, pasi atyre iu premtua taksë zero.
“Në fakt me atë që diskutuam deri më tani, ka lidhje me rendin e ditës. 28 ose 29 mijë profesionistë të lirë që e kanë kuptuar qartë se çfarë keni bërë ju në kurriz të tyre. U ka ardhur tatimi që duhet të paguajnë. Njerëz që punojnë në profesionin e tyre, avokatë, farmacistë, dentistë, etj., po përballen me milionat që duhet të paguajnë në vit.
Me këtë proces ju i keni vënë në kurth ata. 28-29 mijë profesionistë të lirë, rreth 300 mijë persona që janë punësuar tek ata dhe familjet e tyre, sot përballen me atë situatë skandalozë. Ka një element kryesorë, pasiguria ekonomike. Praktikisht është një pabesi, sepse ju, kryeministri Rama, iu premtoi atyre që kanë 140 milion lekë të vjetra fitim, do ta kishin taksën 0. Sot ju i keni zënë gafil.
Vijnë vërdallë se ç’të bëjnë. Ju taksoni turirin, ju taksoni ata që dinë të bëjnë një gjë ndryshe. Taksimin e trurit ju bëni një mekanizëm që të heshtin ata që dinë”, tha Oerd Bylukbashi.
Pas kësaj deklarate, reagoi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, i cili tha se taksimi i profesionistëve të lirë është një mënyrë për të shmangur abuzimet.
“Taksimi i profesionistëve vendos më tepër drejtësi dhe ndershmëri në sitestim. Është taksim nga të ardhurat e punësimit. Vetëdeklarimi i kësaj kategorime prej 29 mijë të punësuarish vjet kanë qenë të ardhura 850 milionë euro. Nuk mundet në sistemin që jetojmë qoftë për aspekt të drejtësisë së sistemit dhe kontributit në shoqëri që jetojmë që të kemi fitime të tilla të taksuara me zero.
Trajtimi i tyre ligjor është më i favorshëm së të punësuarit. Kemi këtë kategori që përpara këtij ligji të mbetën me 0 % tatim. Ligji është punuar me FMN, me ekspertë të mirë, praktikat OECD dhe sjell standarde ndërkombëtarë në sistemin tonë tatimor. Ju lejohet 30% zbritje nga të ardhurat.
Në shifrat e vetëdeklaruara prej tyre, ky grup do të thotë që shpenzimet e zbritura janë 40%. Nuk është tatim përfundimtar, por parapagim, mund të shkojnë ta korrigjojnë në bazë të deklarimit që kanë bërë dhe do të kalibrohen në fund të vitit. Pasur parasysh këto shifra, ne duhet të shmangim abuzimet që lëvizin nga të vetëpunësuar dhe faturojnë ish-punëdhësit të tyre, ky sistem vendos drejtësi dhe vendos më tepër ndershmëri”, tha Ervin Mete.
Top Channel