Në bilancin e saj javor, Policia Rrugore e Tiranës shprehet se ka sjellë dënime maksimale për të gjithë drejtuesit që kanë shkelur rregullat e qarkullimit.
Policët rrugorë kanë regjistruar 17 arrestime dhe procedime penale, ku vepra më e zakonshme ka qenë drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit, drejtimi i mjetit pa leje, shkelje e sinjalistikës së semaforit, ndërsa dhe pesë persona janë proceduar në përpjekje për të korruptuar efektivët.
Gjithashtu 11 910 masa administrative janë marrë për shoferët për shkelje të ndryshme. Në krye qëndrojnë gjobat për qëndrim të gabuar të mjetit, gati 8400 të tilla, ndërsa masa tjetër më e zakonshme për të cilën janë dënuar shoferët përfshin tejkalimin e shpejtësisë.
Edhe mosvendosja e rripit të sigurimit si dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit janë disa nga shkeljet më të zakonshme për të cilën janë dënuar në masë shoferët në javën që lamë pas.
Në disa raste këto procedime dhe masa administrative Policia i ka shoqëruar edhe me pezullime dhe bllokim mjeti, ku shumica e rasteve përfshin tejkalimin e shpejtësisë si dhe për shoferët që kanë qenë nën efektin e alkoolit. Edhe makinat me targa të huaja nuk i kanë shpëtuar bllokimeve të policisë.
Me kodin e ri rrugor Policia i ka ashpërsuar vlerat e gjobës për të gjithë shkeljet e mësipërme.
Top Channel