Përplasja mes kryeministrit Edi Rama dhe televizionit Italian “Rai 3” mbi një dokumentar ku sulmohej marrëveshja Itali-Shqipëri për emigrantët, ka qenë në pjesë e diskutimeve në studion e emisionit “Top Story” me moderatoren Grida Duma në Top Channel.
Analisti, Arjan Curri ka debatuar me deputetin demokrat, Agron Gjekmarkaj mbi përfitimet që kjo përplasje i sjell Ramës dhe ato çfarë Shqipëria përfiton realisht nga marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Sipas Currit, kjo marrëveshje do t’i sjellë Shqipërisë një shumë prej 825 milionë eurosh ndërkohë që një kamp i tillë në Gjadër mund të ndërtohej me mbi 200 milionë euro dhe kjo ka qenë arsyeja e atij dokumentari në “RAI 3”.
Ndryshe u shpreh Gjekmarkaj i cili tha se me këtë mënyrë, Curri po përpiqet t’i japë kredite Ramës dhe qeverisë për marrëveshjen me Italinë për pritjen e emigrantëve.
Pjesë nga debati në studio:
Curri: Mesa pashë unë në dokumentar, përmblidhej me një fjali “Edi Rama na e ka futur dhe i lumtë”, më falni për zhargonin po kështu e kuptova unë. Të arrish t’u marrësh italianëve 825 milionë euro me mundësinë që të shkojë edhe në 1 mld euro për një kamp që mund të kushtojë 250 milionë euro, është si t’i shesësh dikujt saponin për djathtë. Nëse Rama e ka arritur këtë, bravo i qoftë.
Gjekmarkaj: Curri po lavdëron Ramën duke i nxjerrë në pah veset. Duke u bërë listën e veseve. Po i qëndis dhe po i fut një ingranazh ligjërimit që në fund të duket sikur është një shërbim i madh publik dhe në fund të duartrokasim se po na vijnë 825 milionë euro që nuk e dimë se kush do i marrë, mafia apo ne.
Curri: Teza ime ishte kjo që italianët e kanë kuptuar që ua ka futur Rama.
Gjekmarkaj: Po ti je edhe teolog more i nderuar, ti sot je bërë zëdhënës i veseve
Curri: Ati i Shenjtë të lutem më lër të bëhem avokat i djallit. Shiko tani se çfarë bën Rama, edhe lekët që duhet t’ja japë Bechettit, do ua marrë italianëve. Pra Rama jo vetëm ua shet Gjadrin pesëfish, bën një lëmsh të madh dhe madje po mbron Melonin.
Ndërhyn Gjekmarkaj
Curri: Ti prego Agron…Ajo telefonata që bëri Rama me drejtorin e Rait, nuk është gafë ajo, ishte me qëllim sepse ata tani nuk merren më me Melonin por i lëshohen këtij. Të dielën do futet live, fiton dhe audiencë.
Top Channel