Shkolla e Magjistraturës shpall listën përfundimtare të konkurrentëve për fazën e dytë, shtohen edhe 10 kandidatë të tjerë

24/04/2024 18:59

Duhet të ishte një nga proceset më të pagabueshme sa kohë prej andej dalin gjyqtarët dhe prokurorët e të ardhmes.

Por jo! 48 orët e fundit, gara prej nga ku do fitojnë 45 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë, ka ngecur jo vetëm për shkak të konstatimeve të rezultateve nga pretendentët, por edhe për shkak të dritëhijeve që po shoqërojnë procesin e renditjes së pikëve. Më i fundit është jo vetëm anulimi i provimit dy herë brenda ditës, por edhe shtimi i fituesve fillimisht nga 79 u bë 121 dhe në orët e pasdites shkoi 131 persona. Kjo listë aprovohet si zyrtarja që shkon në fazën e dytë të provimit, i cili mbasi u anulua të mërkurën, do të mbahet të enjten në orën tetë të mëngjesit.

Por çfarë po ndodh? Në Provimin e Magjistraturës, u renditën 442 konkurrentë, të cilët përgjatë tre fazave  do të duhet të dilnin 20 kandidatë për gjyqtarë dhe 25 kandidatë për prokurorë. Faza e parë e provimit u mbaj në datën 22 prill dhe u renditën  79 fitues që duhet të kalonin në fazën e dytë. Ky rezultat u përmbys brenda pak orësh. Shkolla e magjistraturës në një deklaratë për median përmend se kur Scantron dha këtë rezultat u dyshua prej komisionit të vlerësimit elektronik duke sjellë  rinumërimin  dhe për këtë arsye lista shkoi në 121 fitues. Përballë kundërshtimeve dhe një peticioni, shkolla e magjistraturës nuk e kreu provimin këtë të mërkurë  dhe së fundmi lista e atyre që do hyjnë në fazën e dytë të provimit deklarohet 131. kandidatët janë njoftuar se provimi do të mbahet  të enjten në orën tetë. Ndërkohë që një ditë më parë njëri nga pretendentët që garon në magjistraturë hodhi dyshime duke nisur nga momentet e para të provimit.

“Në orën 20:00 u futëm, në 10:15 mbaroi fotokopja, u pezullua nga drejtuesit si proces i zgjedhjes së tezave dhe u hodh dhe u hodh sërish shorti për përzgjedhjen e tezave të reja. Njerëzit donin të shkonin në banjo, nuk lejoheshin, domethënë ky ngërçi, u bë provimi, kaluan vetëm 97 veta. U habitëm të gjithë, si ka mundësi”, tha një prej kandidatëve për gazetaren Anila Hoxha.

Pikëpyetjet e para se çfarë po ndodhte me magjistraturën u shtruan  në 29 janar, ditë në të cilën u hoq kriteri I mesatares për lëndët kryesore.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel