Raporti i DASH për të Drejtat e Njeriut, injorohet Beleri dhe pretendimet e qeverisë greke për shkelje nga gjyqësori shqiptar

22/04/2024 22:26

Shqetësimi i vazhdueshëm i opozitës dhe i pakicës greke të cilët pretendojnë se ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri po shkelen të drejtat e njeriut, nuk është reflektuar në raportin e fundit të DASH për Shqipërinë.

Në raportin e DASH të publikuar sot ku theksohet që në hyrje se nuk ka pasur ndryshime në situatën e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjatë vitit që lamë pas, nuk është përmendur në asnjë rresht Fredi Beleri.

Madje në raportin e DASH thuhet më tej se qeveria ndërmori hapa të besueshëm për të identifikuar dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut, por jo zyrtarë të cilëve iu janë shkelur të drejtat.

Vazhdimisht Athina ka pretenduar për shkelje të të drejtave të pakicave, duke kërkuar lirimin e kryebashkikut të zgjedhur të Himarës, të kryejë betimin para zgjedhësve të tij, kërkesë e cila është rrëzuar vazhdimisht nga gjykatat.

Në një konferencë të zhvilluar muaj më parë, Asambleja e kryetarëve të Dhomës së Avokatëve të Greqisë, në një konferencë të posaçme për Belerin, renditën disa nene të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat sipas tyre janë shkelur vazhdimisht që prej arrestimit të tij.

Top Channel