Rreth 12 anëtarë të familjes së njohur amerikane Kennedy dhanë sot mbështetjen zyrtare për rizgjedhjen e Biden si president i SHBA, duke refuzuar pinjollin e tyre që është kandidat i pavarur Robert F. Kennedy Jr.
Teksa sondazhet tregojnë se avokati i njohur anti-stabiliment nga New York po merr vota nga mbështetësit e Biden, dinastia e famshme politike nga Massachusetts ka vendosur të shfaqet me Biden në një event fushate në Philadelphia, duke e krahasuar atë me “mbrojtësin e të drejtave e lirive” ish-presidentin John F. Kennedy apo dhe vëllanë e tij prokuror Robert.
Si Robert Kennedy dhe John F. Kennedy, respektivisht babai dhe xhaxhai i kandidatit aktual, janë vrarë në atentate ende pa zgjidhje të qarta nga autoritetet.
Në komentin e saj avokatja Kerry Kennedy sulmonte ish-presidentin Donald Trump dhe thurte lavde për Biden.
“Presidenti Biden ka mbrojtur të drejtat e liritë e amerikanëve kurse Donald Trump kërkon të në kthejë prapa pasi ka thënë se kërkon të jetë diktator dhe të anullojë kushtetutën”, tha motra e kandidatit aktual Robert F. Kennedy Jr.
Disa nga familjarët kanë kritikuar këtë të fundit për sfidën që po mban ndaj Biden, shkruan rrjeti ThePost.
Mbështetja ishte diçka e pritur që prej vizitës së familjes Kennedy në Shtëpinë e Bardhë muajin e shkuar për ditën e Shën Patrick.
Robert K Jr. u shpall fillimisht kandidat presidencial me demokratët por më vonë doli i pavarur dhe mund të tërheqë vota të konsiderueshme si nga votuesit e Trump e të Biden, me politikat anti-stabiliment për çështjet e emigrantëve, vaksinave, kujdesit shëndetsor dhe të fëmijëve në SHBA.
Ai përdor emrin e familjes së tij Kennedy për të shtuar forcën e fushatës, duke u kthyer në njëfarë versioni të ri të xhaxhait të tij të ndjerë, presidentit JFK.
Top Channel