SHBA, BE dhe Britania e Madhe dënojnë kërcënimet dhe fyerjet e Metës ndaj kreut të SPAK: Sulmet apo intimidimet ndaj prokurorëve, s’kanë vend në demokraci

17/04/2024 20:50
Kreu i SPAK, Altin Dumani, kryetari i PL, Ilir Meta

Përmes një qëndrimi të unifikuar SHBA, Britania e Madhe dhe Delegacioni BE-s në Tiranë dënuan, sulmet me karakter të fortë kërcënues plot fyerje të 48 orëve të fundit nga Ilir Meta në adresë të kreut të SPAK Altin Dumani.

Ky sulm i paprecedentë prej krijimit të SPAK dhe marrjes së drejtimit nga Altin Dumani fillimisht mori kritika nga Ambasada e SHBA në Tiranë një reaguese konstante sa herë politika vendos në shënjestër njerëzit e drejtësisë thotë.

“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”– shkruhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës amerikane.

Në kulmin e deklaratave anti-SPAK nga Ilir Meta reagoi edhe ambasada britanike në Tiranë.

Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ambasadori konfirmoi në takimin e përbashkët të donatorëve të SPAK, javën e kaluar, angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të ofruar asistencë shtesë dhe ngritjen e kapaciteteve për punën e SPAK.

Delegacioni i BE në Tiranë thotë se “sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci”

“Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”– thuhet në reagimin e BE.

Pavarësisht këtyre reagimeve nga SHBA, Britania e Madhe dhe Delegacioni BE në Tiranë zoti Meta e vijoi retorikën e ashpër me tone kërcënuese në adresë të kreut të SPAK Altin Dumani. Këto kërcënime nga Ilir Meta vijnë në momentin kur dosjet penale ndaj tij dhe familjes, përfshirë dhe hetimin pasuror duket se janë në fazën përfundimtare nga agjentët e BKH dhe prokurorët e SPAK.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA