“Pashë 150 policë që kontrollonin”, zbulohen detaje nga arrestimi i Soni Malajt dhe dy kolegëve të saj, flet këngëtari që ishte prezent

17/04/2024 21:07

Një “BajramParty” do të mbahej më 13 prill në Zvicër ku do performonin emra të njohur të skenës shqiptare, por që nuk ka ndodhur. Kjo pasi policia zvicerane ka hyrë për kontroll duke arrestuar këngëtarët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj e Don Phenom.

Në ketë festë ishte parashikuar që të këndonte edhe këngëtari, Labinot Rexha, i cili për Gazetën Insajderi ka rrëfyer të gjithë ngjarjen.

Sipas tij gjatë kontrollit ku u arrestuan këngëtarët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj e Don Phenom, ishin të pranishëm afro 150 policë. Rexha kishte leje pune prandaj për të policia nuk ka paraqitur problem.

“Kam nënshtetësi zvicerane, ka qenë një kontroll e përgjithshme e policisë së Zvicrës edhe në klube të tjera. Pas orës 23:00 ka hyrë kontrolla. Kur kam dal jashtë kam pa afro 150 policë që kontrollonin. Më kontrolluan edhe mu, unë kam të drejtë të punës. Të Tjerët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu, ata i kanë marrë mbajtur për 48 orë së bashku. Diskoteka është duke vazhdu me punë“, tha Rexha.

Më tej ai bëri apel kolegëve të tij që mos të përdorin vizat turistike për të punuar sepse do ndëshkohen me ndalesë për 10 vjet që të shkojnë në Zvicër për të performuar.

 

“Ata që po mendojnë liberalizimi i vizave është edhe me punu janë gabim. Nuk ke drejtë me punu në Zvicër. Aty duhet një muaj më parë të merrni leje për vizë punë dhe ta paguani tatimin. Nëse hasin në kontroll ata më nuk kanë drejtë të performojnë edhe për 10 vite tjera“, tha ai.

Top Channel