“Enveri do më vriste, Mehmet Shehu më shpëtoi jetën, debati i fortë me Berishën…” Rrëfimi i fortë i Spartak Ngjelës në “Top Story”

16/04/2024 10:18

Spartak Ngjela ka bërë një rrëfim të rrallë për periudhën e komunizmit dhe më pas për rrugëtimin e tij politik, në studion e “Top Story” me moderatoren Grida Duma në Top Channel.

Avokati Spartak Ngjela zbuloi mendimin që ka për Berishën, kryeministrin Edi Rama, duke kujtuar edhe raportet me këtë të fundit kohë më parë.

Ngjela ka folur për debatin e famshëm mes tij dhe Berishës në kuvend, ku ky i fundit i kërkoi të jepte dorëheqjen. Para Gridës, Ngjela u shpreh se mesa ka marrë vesh, ka qenë një intrigë e brendshme duke e vendosur atë kundër tij. Madje Berisha e largoi nga posti që mbante atëherë si kryetar i komisionit të ligjeve.

Ngjela: Mesa kam marrë vesh unë, ka qenë një intrigë e brendshme. Ka ndodhur në 2005, kam qenë kryetari i komisionit të ligjeve se kishim marrë pushtetin.

Grida Duma: Kush janë dritëhijet e karakteristikave të Berishës për ty?

Ngjela: Nuk ka bërë asnjë intrigë kundër meje, atij i kanë bërë intrigë kundër meje që i ka besuar, po ai, asnjë goditje. Saliu nuk mund të themi që nuk është burrë shteti. Është shumë e vështirë të jetë burrë shteti dhe atë që kam konstatuar unë tek karakteri i tij si politikan, është fakti që gabimi që bën që ka dëmtuar atë dhe tjetrin, e ka ide fikse. Unë kam qenë afër me të. Nuk duhet të bënte atë që më bëri.

Përsa i përket Ramës, Ngjela është shpreur se ai është zhvilluar shumë politikisht duke arritur që të jetë politikan i mirëfilltë.

Ngjela: Tani mund të themi se është bërë politikan. Është dhe mesa shoh unë, meqë mori pushtet ka hequr dorë nga sistemi i karrierës nëpërmjet individëve. Nuk e ka tanimë, sepse është absolut. Ka pasur dy apo tre vetë dhe Nano. Ky e heq frikën me mënyrën e sjelljes. Nuk i ka kot ato që del si me veshje si gango rrugësh apo poturesh, i bën kastile për një shtensionim që të thotë nuk jam politik. Sepse veshja klasike tregon pushtetin.

Grida Duma: Unë do kisha vënë bast që ju të dy do shkonit shumë mirë.

Ngjela: Po unë atë e kam marrë që kur ishte 22 vjeç, i kam dhënë të gjithë botëkuptimin tim.

Ai rrëfeu gjithashtu edhe për “luftën” mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe Gramoz Pashkos për drejtimin e Partisë Demokratike.

“Gramozi nuk luajti mirë se mund ta mundte Saliun. Por ai kishte një gjë që Saliu e kishte. Populist ishin njësoj. Por kishin një gjë që i dëmtonte, ishin të dy në të njëjtën parti. Ai që ka aftësinë të bëjë me vete një pjesë të partisë e merr atë dhe të dëmton. Pashko mendonte se e kishte të tijën partinë. Kurse ky (Berisha) kishte eksperiencën e goditjes si të Enver Hoxhës. E njihte mirë gjeneralitetin e një intriganti”- përfundoi avokati.

Përsa i përket kohës së komunizmit, Ngjela ka treguar për herë të parë momentin kur Enver Hoxha i kërkoi që ta takonte, por ai nuk pranoi që të shkonte. Ngjela thotë se dy ekspertë të lartë, i patën thënë se nëse do të shkonte, diktatori do të vriste.

“Një dorë më ka mbrojtur. Nuk ma ha mendja se Zoti është infermier ose avokat…. sipas meje është ngarkesë universale, nuk mund të merret me individin. Ai ishte një regjim diabolik, me intriga, sigurim… mua më ndiqnin tre herë në ditë. Ku ishte kënaqësia ime? Nuk ishte problemi se isha trim, por kisha mbrojtje nga familja. Këta kalecët vinin pas meje dhe unë tallesha me ta. Familja ime e konsideronte si zhvillim timin individual. ‘Je i lirë, por përgjegjësinë e mban vetë’. Kështu jam akoma. Nëse arrin dhe krijon filozofinë tënde të brendshme, nuk e shkel më.

Enver Hoxha më kërkoi dhe jam penduar që nuk i vajta. Blloku ishte dhe në plazhin e Durrësit, dhe anash shpive ishte një rrugë e ngushtë që kalonte afër banesës së Hoxhës. Unë po kaloja andej, ai ishte në ballkon. U ngrit dhe ma bënte me dorë.. Jam penduar që nuk kam shkuar. Dy ekspertë që kam pyetur, ‘jo’ më thanë, ‘do të të vriste’. Mund të ishte dhe ajo që thonë ata, por nuk mendoj.

Çfarë do i thosha Hoxhës po ta takoja? E kam imagjinuar një orë pasi ika në shtëpi… Do t’i thosha që ky regjim është kështu, kështu. Do ia thosha të gjitha. Prandaj nuk shkova. Inkoshienti mua më tha mos shko, në funksion të jetës”, tha Ngjela.

Po ashtu në “Top Story” Ngjela ka treguar dhe një të pathënë tjetër që ka të bënë me Mehmet Shehun, kryeministër i asaj kohe. Avokati tha se në një moment kur ishte shprehur haptas kundër regjimit, Mehmet Shehu e kishte nxjerrë nga salla ku ndodhej, duke e konsideruar si të dehur me qëllim për ta mbrojtur.

“Që të shpëtoje atëherë duhej që tragjedinë ta ktheje në komedi. Dhe ne talleshim me realitetin, duke u përpjekur që situatën ta kthenim në komike. Më nxori jashtë kryeministri, më mbrojti. I fola kundër regjimit. Ai tha merreni se është dehur. Më mbrojti. Unë u habita. Unë fola kundër regjimit, në mënyrat e mia. Ai tha kështu flet Spartaku por në fund stafetën tonë do marrë. Kurrë i thashë unë. Merreni tha se është dehur. Më mbrojti. Spartak ki parasysh tha nuk ngatërrohet vera me rakinë”- tha Ngjela.

Sa i takon marrëdhënies me të atin, Kiço Ngjela i cili asokohe kishte postin e ministrit të Tregtisë, avokati tha se babai i tij nuk ndërhynte kurrë në bindjet ideologjike që kishte pavarësisht se vetë ai ishte i majtë.

“Marrëdhënia ime politike ishte e ngrirë, nuk e ngacmonim njëri tjetrin. Flisja unë hapur, ai nuk fliste se incizoheshe. Kur isha unë, ai nuk mbante ndonjë qëndrim politik të majtë. Këto që duken kështu tani, ishin jetë atje midis nesh. Mua më jepnin ngarkesë emocionale pozitive. Nuk ngatërrohet marrëdhënia politike me dashurinë e babait. Ai ishte personi që më dha mundësinë që unë të isha liberal në politikë. Asnjë luftë kundër meje, ai ishte një nga ministrat më të fuqishëm dhe unë isha kundërshtar i tyre”- rrëfeu avokati ndër të tjera.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA