Begaj viziton familjen e presidentit të ndjerë Ibrahim Rrugova: Një lider vizionar dhe shembull frymëzimi! Kombi shqiptar nuk do të ishte këtu pa kontributin e tij

16/04/2024 13:19

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, gjatë qëndrimit në Kosovë zhvilloi një vizitë në familjen e Presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai u prit nga familjarët e Presidentit Rugova, bashkëshortja Fanë, e bija, Teuta, dhe nga i biri Ukë Rugova, me të cilët zhvilloi një bisedë vëllazërore për familjet, zhvillimet në Prishtinë e Tiranë, si dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Presidenti Begaj kujtoi figurën emblematike të Dr. Rugovës dhe u shpreh se mësimet e tij, urtësia, mençuria dhe vizioni i burrit të rezistencës humane duhet të nderohen dhe ndiqen nga shqiptarët në çdo kohë.

“Çdo shqiptar duhet të vijë këtu, pasi për të gjithë ne Rugova do të mbetet dhe është President”,  u shpreh Begaj, i cili e vlerësoi Dr. Rugovën si lider vizionar, udhërrëfyes dhe një shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët.

“Kombi shqiptar nuk do të ishte këtu ku ndodhet pa kontributin e jashtëzakonshëm të Ibrahim Rugovës. Ëndrra e kahmotshme e krejt shqiptarëve u realizua”, vlerësoi Presidenti gjatë takimit me familjen Rugova.

Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Presidenti zhvilloi një vizitë edhe në shtëpinë e akademikut Rexhep Qosja. Begaj vlerësoi krijimtarinë e tij shkencore, letrare, artikujt kritikë me vlerë, si dhe veprimtarinë intelektuale.

Zoti Qosja i shprehu Presidentit Begaj mbështetje në përpjekjet e përbashkëta për ruajtjen e identitetit kombëtar nëpërmjet respektimit të standardit të gjuhës letrare shqipe në Shqipëri dhe Kosovë.

Ndërsa evokoi figurat e Rilindjes Kombëtare, në veçanti veprimtarinë atdhetare, politike dhe letrare të Sami, Abdyl dhe Naim Frashërit, dhe të Naum Veqilharxhit, akademiku Qosja theksoi nevojën për vepra konkrete, që nxjerrin në pah vlerat e rilindësve dhe personaliteteve të shquara shqiptare, me synim ndërgjegjësimin e brezave të rinj.

Gjatë bisedës kujtuan me nderim sakrificat gjatë luftës së Kosovës dhe heroizmin e familjes Jashari, anëtarët e së cilës, burra, gra e fëmijë, dhanë jetën për këtë tokë, duke u shndërruar në një shembull unik në botë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel