Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës rreth orës 17:30, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin ose jo të Kosovës në këtë organizatë.
Në fillim të seancë, fjalën e mori Dora Bakoyannis, raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës (KiE), e cila paraqiti raportin e përpiluar nga vetë ajo, përmes së cilit kërkon që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së.
Ajo i bëri thirrje të pranishmëve që të votojnë raportin e saj, në mënyrë që Kosova të mund të bëhet anëtare e KiE-së.
Në fund, pritet edhe votimi i raportit. Bëhet fjalë për votimin e një mendimi pozitiv sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, në organizatën e cila kryesisht merret me të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë.
Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare.
Para fillimit të seancës në Asamblenë Parlamentare të martën, Komisioni për Politikë dhe Demokraci me shumicë të madhe i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegatët e Serbisë, të cilat u mbështetën edhe nga dy delegatë të Bosnje e Hercegovinës.
Top Channel