“Shkrihen” shoqatat e biznesit/ Qeveria synon krijimin e një dhome ekonomike kombëtare, bizneset kundërshtojnë

15/04/2024 19:45

19 shoqata biznesi i kanë dërguar një letër qeverisëse nëpërmjet së cilës shtrojnë disa pikëpyetje dhe kundërshtime në lidhje me projektligjin e ri që synon të krijojë një Dhomë Ekonomike Kombëtare.

Qeveria në projektligjin e hedhur në konsultim synon që të mbledhë rreth 180 shoqata biznesi në një dhomë të vetme ku anëtarësimi do të jetë i detyrueshëm me anë të një tarife simbolike sipas profilit dhe madhësisë së biznesit.

Shoqatat në letrën e tyre ngrenë pesë pika për të cilat mendojnë se ka nevojë për reflektim.

Ato janë të shqetësuar për anëtarësimin me detyrim në këtë dhomë ekonomike duke përmendur të drejtën kushtetuese të sipërmarrjeve për të qenë të lirë që të organizohen në shoqata publike ose privat.

Sipas shoqatave nevojitet një studim i shërbimeve që janë ofruar deri më sot nga strukturat ekzistuese, për të qartësuar problematikat që janë shfaqur në performancën e këtyre organizmave publikë të tregtisë, si edhe mënyrën se si projektligj i ri mendon t’i zgjidhë përmes ristrukturimit.

Pikëpyetje ngrihen dhe mbi tarifën që duhet paguar, pasi në projektligj përcaktohet se bizneset do ta paguajnë sipas xhiros vjetore, por nuk është specifikuara qartë se çfarë përfitimesh do të kenë në krahun tjetër.

Në pikën e pestë shoqatat shprehin shqetësim se anëtarësimi me detyrim do të tentojë mbytjen e fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe, si shkak i natyrës hierarkike të nismës, që varet nga Ministri. Në këtë pikë nevojitet gjithashtu reflektim sipas tyre.

Top Channel