Mitsotakis kandidon për eurodeputet Fredi Belerin, i dënuar në Tiranë për korrupsion zgjedhor e Athinë për armëmbajtje pa leje

15/04/2024 20:22
Fredi Beleri dhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis

Partia e Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis ka zyrtarizuar sot Fredi Belerin, si një nga 42 kandidatët në zgjedhjet e Parlamentit Europian që do të mbahen nga data 6 deri në 9 qershor 2024.

Kandidimi i Belerit ishte paralajmëruar kohë më parë dhe mediat e Athinës e kishin bërë thuajse zyrtare mbështetjen e kryeministrit grek për Belerin, pavarësisht faktit se dy prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të kreut të maxhorancës në Greqi, ministri i jashtëm dhe një prej këshilltareve për politikën e jashtme kishin dale kundër.

Teksa ka marrë sot emërimin për të kandiduar nën siglën e “Demokracisë së Re” në Athinë, Fredi Beleri në Tiranë është dënuar me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e cila e gjeti fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje kryetarin e zgjedhur të Bashkisë së Himarës. Të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend, përfshi këtu edhe Gjykatën Kushtetuese pak ditë më parë, nuk kanë marrë asnjë vendim në favor të Fredi Belerit.

Kandidati i opozitës në zgjedhjet e fundit lokale ka një “CV” të pasur me dënime. Ai ka një denim në Greqi për armëmbajtje pa leje të kryer në bashkëpunim, ndërkohë që në Shqipëri është marrë i pandehur për akte terroriste, në masakrën e Peshkëpisë në 18 mars 1995 ku mbetën të vrarë dy ushtarë shqiptarë.

Pak vite më parë parlamenti shqiptar miratoi ligjin e dekriminalizimit, sipas të cilit, kandidatët që kishin marrë një denim edhe në Greqi, ndalohen të kandidojnë në zgjedhje të përgjithshme apo në zgjedhje lokale, ndërkohë që Greqia, e cila jep leksione për zbatimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për disa vota më shumë të krahut radikal, kandidon një individ si Fredi Beleri me dy anime, një në vendin fqinj e një në Tiranë dhe një rast kur është marrë i pandehur për akte terroriste.

Top Channel