“Justifikime qesharake, ishim në tualet, kishim sëmurë gjyshen”, Salianji dhe Gogu “hidh e prit” ironi e replika, demokrati: Merrni freskuese me vete nëse…

15/04/2024 17:54

Kanë vijuar me debate diskutimet në mbledhjen e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, teksa replikat nuk kanë munguar mes kryetarit Ervin Salianji dhe nënkryetarit Toni Gogu.

Ky i fundit ka kërkuar që të miratohen kërkesat e ekspertëve për informacion, por iu drejtua Salianjit duke i thënë që të “mos sjellin kulturën e asgjësimit të së drejtës së votës”.

Salianji i është përgjigjur duke i thënë se e vetmja gjë që kërkon pala socialiste, është të pengojë punën e komisionit, por sipas tij kjo nuk do të ndodhë dhe hetimi për TIMS do të shkojë deri në fund.

Pjesë nga diskutimi:

Salianji: Shqetësim keni si të ndaloni kërkesat për informacion. Më jepni një propozim të bazuar në ligj sesi ky komision të anulojë një vendimmarrje të vetën sepse ndryshe mbaj përgjegjësi penale që nuk çoj kërkesat e firmosura për informacion. Si mo të kemi shqetësim ne? Jemi kujdestar të SPAK? Qenkemi ne më të ditur se SPAK? Nëse ata mendojnë se nuk duhet të kthejnë përgjigje, nuk do të kthejnë. E kam vetëm për atë institucion, se të tjerat duhet të kthejnë përgjigje siç e përcakton ligji. Më propozoni ligjërisht si ta kthejmë atë vendimmarrje të mbledhjes së shkuar dhe po ua plotësojmë.

Gogu: Ne votojmë sot kur të na jepet mundësia çdo kërkesë për marrje informacioni. Edhe kërkesat e mbledhjes së kaluar dhe nëse kanë dhe sot ekspertët. Por ju lutem mos sillni kulturën 4 asgjësimit të të drejtës së votës, na jepni mundësinë që të votojmë. Kërkesat kanë mbërritur në e-mail tuaj dy orë më parë. Nëse ende do deklaroni me forcë duke mbajtur mikrofonin dhe shpërndarë kohën në mënyrë të padrejtë, do detyrohemi të kërkojmë që ju të qetësoheni… kërkoj 5 minuta pushim meqë shoh dhe nga ana juaj që ka mendime konstruktive dhe të miratojmë çdo kërkesë për informacion

Salianji: Nuk e mbyll dot komisionin nënkryetari, se nuk e kanë pronë të veten, se kur ta kenë le të kërcejnë gjithë ditë. PS e kanë mendjen për zyra dhe lekë, t’u gjejmë zyra dhe lekë këtyre ekspertëve thonë, se vetëm aty e kanë mendjen. Nëse duan të qetësohen dhe freskohen, e kam thënë që në nisje që të marrin freskuese me vete se nuk është kollaj që në këtë komision të bëjnë si të duan. Kërkesat janë miratuar me shumicë të këtij komisioni pavarësisht justifikimeve qesharake. Sot thotë që ishim në tualet, kishim të sëmurë gjyshen, herën e kaluar thanë po bëmë ironi, pse s’na e kuptuat. Sa herë dalin, dalin të marrin direktiva si të bllokojnë komisionin, por nuk zhbëjnë dot atë që është bërë. Të bëjnë ca të duan ne do t’i shkojmë deri në fund logjikës së hetimit për këtë çështje.

Top Channel