E kishte regjistruar nën emrin e një kompanie ndërtimi, GJKKO sekuestron apartamentin e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe

13/04/2024 12:52
Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK, ka sekuestruar apartamentin që ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe zotëronte në Lugomare të Vlorës.

Tre ditë më parë, Fatos Tushe u paraqit në SPAK, nga ku gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raportoi se shkak për paraqitjen e ish-kryebashkiakut ishte fshehja e një apartamenti që ky i fundit zotëronte në Vlorë.

Në njoftimin e publikuar sot (13 prill), bëhet me dije se është vendosur nën sekuestro apartamenti me sipërfaqe 75.3 m2 që Tushe ka në Lungomare të Vlorës.

“Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë”– thuhet në njoftim.

Mësohet se apartamenti figuronte nën emrin e një kompanie ndërtimi por realisht ishte nën zotërimin e Tushes dhe ky i fundit nuk e kishte deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë.

Kujtojmë se ish kryebashkiaku u shpall fajtor gjatë një hetimi të SPAK, për shkak të shpërdorimit të detyrës mbi tenderat dhe u dënua me tre vjet e katër muaj burgim si dhe heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Top Channel